LINDJE
Atlanta fiton ndeshjen e parë
17 April, 2016 @8:35
Ndeshja e parë e fazës së play off-it mes Atlantas e Bostonit, i takoi vendasve. Me Bostonin që po gjuante me një përqindje tejet të dobët si brenda ashtu edhe jashtë vijës 7.24, Atlanta e filloi ndeshjen furishëm dhe pjesën e parë e mbylli me 17 pikë epërsi.
Ishte nata e Al Horford mbrëmë, i cili pati një paraqitje fenomenale me 24 pikë e 12 kërcime dhe kështu ai i mundësoi skuadrës së tij marrjen e avantazhit pas ndeshjes së parë.
Përkundër disavantazhit prej 17 pikëve në pjesën e parë, Celtics arritën të riktheheshin në lojë në çerekun e katërt dhe për një periudhë ndeshja ishte e barabartë. Mirëpo ishte Jeff Teague i Atlantas ai që morri frerët në dorë dhe nuk lejoi rikthim senzacional të Bostonit.
Për Celtics më i dalluari ishte Isaiah Thomas me 27 pikë e 8 asistime, kurse shqetësuese përveç humbjes për skuadrën nga Massachusetts është edhe lëndimi i Avery Bradley, i cili u detyrua të largohej nga loja.
Ndeshja e dytë e kësaj serie zhvillohet të mërkurën.