NEXHIPI LARGOHET

Ballkani ndanë rrugët me drejtorin Nderim Nexhipi
23 June, 2023 @15:04
Kampioni i Kosovës ka bërë të ditur se ka ndarë rrugët sot edhe zyrtarisht me drejtorin sportiv të ekipit, Nderim Nexhipi. Sipas njoftimit të lëshuar nga FC Ballkani, dy herë kampion i Kosovës dhe kampion aktual, ndarja ka ardhur me kërkesë të vetë Nexhipit, që ka kërkuar largimin për arsye familjare.
“Në koordinim të dyanshëm, klubi e ka pranuar kërkesën e drejtorit sportiv, Nderim Nexhipi, që për shkaqe familjare, nuk mundet të vazhdojë qëndrimin e mëtutjeshëm në Kosovë.
Duke e falenderuar për kontributin e çmuar në rrugëtimet tona të suksseshme, për të FC BALLKANI gjithmonë do të mbetet një shtëpi e hapur.” ka bërë të ditur njoftimi i ekipit nga Suhareka.
Nexhipi përndryshe me punën e tij te Ballkani është vlerësuar mjaft, derisa nën patronatin e tij Ballkani ka arritur të fitojë titujt e parë të kampionit në Kosovë. Ekipi përndryshe në stinorin 2022/23 ka shkruar historinë në Kosovë duke u bërë ekipi i parë nga Kosova që arrin fazën grupore të një gare evropiane, ndërsa Ballkani kishte hyrë në Ligën e Konferencës, ku tregoi paraqitje të mirë.◼️