(B)ANALIZIMI
Barcelona – kthimi më i madh në histori të futbollit!
Shkruan: Luan Morina
11 March, 2017 @20:50
As një fëmijë 9 muajsh që akoma nuk ka nisur të ecën nuk rrëzohet në 90 minuta kohë më shpesh se treshja sulmuese e Barcelonës të mërkurën. Por, derisa fëmijët kërkojnë kontaktin për të mbetur në këmbë, treshja e lartpërmendur kërkon kontaktin minimal për t’u shtrirë sikur t’i ketë vrarë dikush me snajper. Dhe krejt kjo mbetet me një vendim kontroversial në fund, dhe arsyetimin se ‘të gjithë e bëjnë’.
Paj, jo të gjithë e bëjnë, dhe askush më mirë se lojtarët blaugranë të cilët janë të njohur për gjeste të këtilla, të cilat gjejnë admirues në këtë epokë anekënd globit, e sidomos tek ne ku e keqja adhurohet e në votohet bindshëm ditën e zgjedhjeve për qeveri lokale apo qendrore.
Duke provuar ta mbaj sa më shkurtër që mundem, sikur kujtesën e dëshmitarëve të historisë së të mërkurës, do të ç’arsyetoj dy penalltitë e asaj nate. Tek e para, Meunier vetëm është duke u rrëzuar dhe nuk zgjat as dorë apo kokë drejt Neymarit sa shkon drejt topit, e tek e dyta kontakti është aq minimal sa që as në patinazh sportiv (jo-artistik) s’do të konsiderohej ndërhyrje e ndaluar. Referimi duhet të marrë parasysh edhe momentet kur jepet një karton apo një penallti. Një penallti e tillë mund të jepej ndoshta në Segunda, por në Ligën e Kampionëve, në kohën shtesë?!
Epo, Aytekin po thuhet se do të pushoj nga futbolli ndërkombëtar së paku deri në fund të këtij sezoni. Kjo s’mjafton! Ka ndodhur çfarë ka ndodhur, dhe si për ironi, zakonisht u ndodh kundërshtarëve të Barcelonës! E di, e di, faj kanë edhe PSG, megjithatë asgjë nuk arsyeton referimin konstant pro-Barcelonës. E para këtyre skandaleve i mbyllin sytë edhe gazetarët, e edhe njohësit e futbollit si krejt stafi i BTSport të udhëhequr nga ‘suckeri’ për Barcelonën, i dështuari Gary Lineker.
Por, siç thotë edhe Ben Snowball i Eurosport, nga shkrimi i të cilit ka është shfrytëzuar shumica e fjalëve në këtë paragraf – nuk guxojmë të përmendim këtë skandal sepse atëherë i humbim madhështinë asaj nate, që është ‘rikthimi më i madh ndonjëherë në futboll’.
Dhe në epokën tonë, atë të dhive që e kam përmendur në shkrimin e kaluar këtu tek Borozani, ku gjithçka duhet të jetë më e mira, mohimi i ‘rikthimit më të madh në histori të futbollit’ s’na kryen punë.
Por, kur të ju thonë se kanë qenë dëshmitarë të ‘rikthimit më të madh ndonjëherë në futboll,’ sot apo pas shumë viteve, dijeni që po ju rrejnë. Po fshehin të vërtetën, për të pasuruar ngjarjet hiperbole të jetës së tyre. Sepse, ngjashëm si ky rikthim, edhe historia e kësaj Barcelone, e ndoshta edhe jeta e atyre dëshmitarëve, është e bazuar në rrenë!