BASHKIMI - SIGAL PRISHTINA
Bashkimi ia shkakton humbjen e parë Prishtinës
15 March, 2018 @21:04
Derbi i xhiros së XXII të stinorit të Superligës ka përfunduar me fitoren e Bashkimit, që ia ka shkaktuar humbjen e parë Sigal Prishtinës këtë stinor, 91-84.
Kjo ka qenë humbja e parë e Sigal Prishtinës pas 22 xhirove të zhvilluara, ndërsa Bashkimi është duke festuar aktualisht fitoren e madhe.
Bashkimi ka qenë gjatë pjesës më të madhe të ndeshjes në avantazh. Ndërsa Sigal Prishtina mbahej me pikët e Granit Rugovës.
Derisa prizrenasit shtuan epërsinë në fund të pjesës së parë në tetë pikë, në pjesë të dytë bardhekaltërit ngushtuan epërsinë dhe bënë ndeshjen edhe më interesante.
Por, në çerekun e fundit Bashkimi kontrolloi lojën për të arritur qetë në fund drejt fitores.
PERFORMANCAT INDIVIDUALE
Mikaile Tmusic ka qenë më efikasi te Bashkimi. Tmusic shënoi 29 pikë në fitoren e ekipit, shoqëruar me 3 asistime e 6 kërcime.
Performancë tejet impresive ka pasur edhe playi amerikan i Bashkimit, Aaron Moss. Moss ka kryer ndeshjen me 25 pikë, 9 asistime dhe 8 kërcime.
Kurse Vinny Zollo ka shtuar 17 pikë e 6 kërcime në fitoren e parë të këtij stinori për Bashkimin ndaj Sigal Prishtinës, që ka qenë njëkohësisht edhe humbja e parë e bardhekaltërve këtë stinor.
Në anën tjetër, performanca fenomenale e Granit Rugovës nuk ka mjaftuar. Graniti shënoi 33 pikë, 6 asistime dhe 8 kërcime në ndeshje.
Përforcimi i ri i ekipit, Filip Bundovic, ka pasur debutim impresiv gjithashtu. Kroati shënoi 20 pikë për 20 minuta sa ishte në parket, derisa shtoi edhe 5 kërcime.
Bashkimi pas kësaj ndeshjeje ka përmirësuar bilancin në 17-5, ndërsa Sigal Prishtina tash ka bilanc 21-1 me humbjen e parë të stinorit të regjistruar sot, që nuk ia rrezikon vendin e parë në stinorin e rregullt.