PEJA-TREPÇA
Tahiri e Azemi, sigurojnë fitoren në fund
14 March, 2018 @19:56
Derbi ka mbetur derbi!
Përkundër se ekipet janë në gjendje jo të mirë financiare, posaçërisht Peja, dueli ndaj Trepçës ka dalë tejet interesant deri në fund, kur Arian Tahiri me treshe dhe Besnik Azemi nga gjuajtjet e lira sigurojnë avantazhin triumfues për ekipin mitrovicas.
Trepça vazhdon luftën për Play-Off, ndërsa Peja nuk ka arritur të shënojë fitore në këtë përballje, përkundër mundit të treguar - në ndeshjen ku u luajt me 100% lojtarë vendorë.
Pjesa e parë përfundoi me gjashtë pikë dallim për Trepçën, ndërsa në çerekun e tretë Peja afroi rezultatin në një pikë, 46-47!
Çereku i fundit shkoi ngushtë, ndërsa Peja edhe njëherë zbriti epërsinë e Trepçës në tre pikë, derisa maksimalja shkonte në gjashtë, për të përfunduar ndeshja me 58-63 në të mirë të ekipit të drejtuar nga Ilir Selmani.
PERFORMANCAT INDIVIDUALE
Derisa te Peja nuk mjaftuan 24 pikët e Beqë Kovaçit dhe 18 të tjerat të shënuara nga Rron Ukaj, që kreu ndeshjen me double-double, duke shtuar edhe 13 kërcime në llogarinë e tij, te Trepça më të dalluarit ishin Besnik Azemi dhe Samir Zekiqi.
Të dy kryen ndeshjen me double-double. Azemi shënoi 26 pikë e 11 kërcime, ndërsa Samiri 19 pikë e 10 kërcime në fitoren e dhjetë të stinorit për mitrovicasit.
Imer Tahiri ka qenë lojtari tjetër me ndikim në lojën e Trepçës. Ai shënoi 11 pikë, duke shënuar tre treshe nga gjashtë tentime, 7 kërcime dhe 3 asistime për t’i ndihmuar ekipit.
Trepça ka aktualisht bilanc 10-12, ndërsa Peja 6-16.