TRAJNERI I SLLOVENISË
Basketbolli modern, është basketbolli fitues
14 September, 2016 @9:38
Përzgjedhësi i Sllovenisë, Igor Kokoskov, në një bisedë për faqen zyrtare të FIBA-së ka bërë të ditur se filozofi të madhe në basketbollin modern nuk ka.
“Nuk bën të jesh kokëfortë. Duhet të jesh fleksibil. Të pranosh grupin garues ashtu si është dhe të instalosh pastaj filozofinë tënde të lojës, ose personalitetin,” ka thënë Kokoskov, që ka punuar edhe si ndihmës-trajner i Phoenix Suns, Cleveland Cavaliers, Orlando Magic e Utah Jazz në NBA.
“Gjithmonë e them këtë, basketbolli modern është basketbolli fitues. Fituesi ta dikton se si luhet basketbolli. Për shembull, mund të kërkosh lojë të shpejtë, por nëse nuk ke kuaj në ekip që të vrapojnë atë shpejtësi, duhet ta ngadalësosh atë lojë,” ka thënë Kokoskov, të cilit i duhen aktualisht edhe dy fitore për të kryer perfekt Grupin E kualifikues për Eurobasket 2017.
Sllovenia ka mposhtur brenda dhe jashtë Kosovën në këtë grup, ndërsa ka bilanc aktual 4-0. Ukraina është ekipi i vetëm që e rrezikon Slloveninë në garë për vend të parë, që siguron direkt Eurobasket 2017-shin.