TRAJNERI I FERONIKELIT'74

Begolli: Nuk funksionoi asgjë te ne! Do të vazhdojmë luftën
7 April, 2023 @18:35
Trajneri i Feronikelit’74, Granit Begolli, ka qenë i pakënaqur me lojën e treguar të ekipit të tij sot, derisa ata u mposhtën nga Liria në Prizren me rezultat të thellë, 3-0.
Liria ia shkaktoi liderit të Grupit A të Ligës së Parë Feronikelit’74 humbjen më të thellë të këtij stinori. Ndërsa trajneri Begolli tha se futbollistët nuk luajtën ashtu si u morën vesh me trajnerin në fillim.
“Mendoj që fituesin e përcaktoi dëshira. Liria e deshti më shumë fitoren se na. Rezultati ka qenë real. Kemi humbur ndeshje shumë të rëndësishme në luftë për Superligë. Nuk ka funksionuar asgjë sot te ne, kemi gabuar shumë, si te golat, si te vendosja, kjo i la hapësira kundërshtarit dhe ata na fituan. Ne do të vazhdojmë deri në fund të punojmë, të ruajmë vendin e parë për të siguruar Superligën,” ka thënë ndër të tjera Begolli pas ndeshjes.
Kujtojmë, Feronikeli’74 është lider i Ligës së Parë Grupi A, pozitë kjo që mundëson Superligën në stinorin tjetër. Feronikeli kishte rënë nga Superliga stinorin e kaluar. Gjatë verës u fuzionua me ekipin Fortuna të Drenasit, për të vazhduar garat me identitet tjetër, Feronikeli’74, edhe pse përdorin të gjitha asetet e Feronikelit, që në fakt ka të bllokuar nga FIFA transferet për shkak të borxheve ndaj ish-lojtarëve të tyre. FFK-ja asnjëherë nuk ka dhënë sqarim shtesë për fuzionimin në fjalë.