MEDIA TALK
Benzema: Mbappe duhet të adaptohet si 9-she!
5 November, 2024 @14:53
Ish futbollisti i Real Madridit dhe golashënuesi i dytë më i mirë në histori të këtij klubi, Karim Benzema, në një bisedë në emisionin sportiv spanjoll El Chiringuito ka thënë se Kylian Mbappe duhet të adaptohet si 9-she në lojën e madrilenëve.
Mbappe, që u prit me shumë entuziazëm si përforcim te Real Madridi duke ditur cilësitë e tij, nuk po arrin të adaptohet si sulmues qendror në ekip. Edhe pse pozita e tij e preferuar është krahu i majtë, ai aty nuk mund të luajë pasi që braziliani Vini Jr. është i pazëvendësueshëm në këtë pozitë.
“Sipas meje, problemi është që Mbappe nuk është sulmues qendre. As me Francën nuk ka arritur të adaptohet në atë pozitë kur është provuar aty. Ai është sulmues i krahut të majtë. E aty, luan Vini Jr. që është në nivel të tij. E Vinin nuk mund ta ndërroni në pozitë, sepse ai bën dallimin prej pozitës së tij,” ka thënë Benzema.
“Mbappe duhet ta fus në kokë të tij që është 9-she. Duhet të adaptohet gjithsesi në atë pozitë, si dhe të harrojë pozitën e krahut derisa është Vini Jr. aty,” ka shtuar ai.
Francezi Mbappe që erdhi këtë verë nga PSG te Reali ka shënuar një gol në pesë ndeshjet e fundit, ndërsa humbja prej Barcelonës 0-4 në “Santiago Bernabeu” ka zgjuar debatet për pozitën që ai po luan aktualisht. Vini Jr përndryshe, doli i dytë në Topin e Artë 2024.
Benzema është fitues i Topit të Artë 2022, ndërsa 36 vjeçari ka fituar pesë herë Ligën e Kampionëve dhe katër tituj të La Ligës në 14 stinorë të kaluar aty.