BKT SUPERLIGA
BOROZANI.COM/Lis Dorambari
Berisha copëton Bashkimin
9 December, 2012 @21:29
Peja ka arritur të mbajë vendin e parë në renditje pasi që mposhti Bashkimin sonte më lehtë sesa që ka pritur 67-88.
Prizrenasit ia nisën mirë takimit, mirëpo kjo shumë shpejtë u baraspeshua nga treshet e Dardan Berishës (Dardani shënoi 9 treshe gjatë tërë ndeshjes).
Shkëputja definitive e Pejës
Përkundër se niveli i lojës deri diku ishte i barabartë në çerekun e parë dhe në të dytin, Peja u shkëput tërësisht në rezultat gjatë çerekut të tretë, që ua humbi shpresat lojtarëve prizrenas.
Djelmoshat e Rudolf Jugos udhëhiqnin me 18 pikë në fund të çerekut të tretë, ndërsa në çerekun e katërt kroati futi në lojë pesëshen e dytë të ekipit që arriti të mbajë epërsinë ndaj një Bashkimi të shpartalluar.
Përveç Dardan Berishës, me lojë të mirë u dalluan edhe Zoran Pehar e Vladan Jocovic, bashkë me Samir Shaptahovicin dhe Gerti Shimën. Në anën tjetër te prizrenasit Dustin Mitchell ishte i vetmi që e mbante ekipin në lojë, aty këtu i ndihmuar edhe nga Philip Brooks. Transferi i ri i Bashkimit Jermont Horton, as që u vërejt përballë mbrojtjes pejane.