SISTEMI I RI
BIBL i kthehet Final Fourit
19 July, 2017 @13:22
Stinori i ri i Ligës Ballkanike (BIBL) do t’i kthehet sistemit të Final Fourit në pjesën finale të edicionit, duke nisur nga stinori 2017/18.
Njoftimin e ka zyrtarizuar vetë faqja e BIBL, duke bërë të ditur se katërshja finale e ekipeve të kualifikuara nuk do të luajnë më ndeshjet sipas sistemit të deritashëm brenda-jashtë, por do të luhet në sistemin Final Four.
Në Final Four marrin pjesë ekipet që sigurojnë gjysmëfinalen e garës. Ajo mbahet në një vend dhe ekipet zhvillojnë nga një ndeshje gjysmëfinale, ndërsa finalistët luftojnë për titull. Pra, me tre ndeshje në një qytet, brenda fundjavës zakonisht, përcaktohet fituesi i stinorit të dhjetë, jubilar, të BIBL.
Deri më tash, nga ekipet shqiptare, vetëm KB Tirana ka shprehur interesimin për pjesëmarrje në BIBL 2017/18, derisa nga Kosova asnjë ekip zyrtarisht nuk ka bërë të ditur asgjë lidhur me pjesëmarrjen në këtë ligë.
Final Four i BIBL 2017/18 do të mbahet në prill të vitit 2018, ndërsa datat e sakta do të koordinohen gjatë stinorit.