BALLKANI - GJILANI
Blendi Baftiu vendos, Gjilani po fundoset
10 May, 2019 @19:11
Katër pikë janë dallim i madh. E ky është dallimi që aktualisht ka Gjilani me ekipin mbi te.
Ekipi nga Anamorava ka dalë kokulur nga stadiumi i Ballkanit sot në Suharekë, ku për fituesin ka vendosur njëri ndër futbollistët që ka pasur ngritje më të mirë të këtë stinor, Blendi Baftiu.
Mesfushori ofanziv i Ballkanit ka vendosur ndeshjen duke shënuar gol në minutën e 56-të të ndeshjes për epërsinë 1-0 (krosoi Jetmir Topalli, e Baftiu shënoi me kokë), që doli të jetë vendimtare për fitore dhe nxjerrjen momentale të ekipit që drejtohet nga Gani Sejdiu nga zona e barazhit.
Përndryshe, kjo është fitorja e dytë me radhë për Ballkanin, ndërsa xhiron që vjen ekipi i Sejdiut do të jetë mysafir i Drenicës në një betejë që mund të vendos shumëçka.
Në anën tjetër Gjilani i Gentian Mejzanit nuk po ka rezultate të mira dhe kjo tashmë po vërehet edhe në tabelë.
Skuadra e Gjilanit ka katër pikë më pak se Flamurtari, që është mbi ta, ndërsa deri në fund të stinorit kanë mbetur edhe 2 xhiro. E vetmja e mirë për Gjilanin është që në xhiron e radhës luan ndaj Lirisë së rënë, që gjithashtu nuk garanton ikje nga barazhi.