DREJT TOP 10
Bogdanovic kalon Drazen Petrovicin
28 October, 2016 @10:54
Për një basketbollist kroat, të përmendesh për diçka që lidhet me Drazen Petrovicin është tepër e veçantë. E dje, Bojan Bogdanovic ka kaluar Drazen Petrovicin në listën e më së shumti tresheve të shënuar për Brooklyn Netsin.
Bogdanovic tash ka 223 treshe, duke e lënë pas legjendën kroate Petrovic që i kishte shënuar në karrierën e shkurtë të tij 220 sosh.
“Gjithmonë është mirë të dëgjosh emrin tënd pranë atij të Drazenit. Nder i madh për mua është ky,” ka thënë Bogdanovic për nba.com.
“Ju as që mund të imagjinoni rëndësinë e Drazenit në Kroaci. Ai është sportisti më i mirë i të gjitha kohërave atje. Para disa ditësh ishte ditëlindja e tij dhe besoni apo jo, krejt Kroacia e feston atë ditë. Ai është më i miri nga vendi ynë,” ka shtuar basketbollisti i Netsit.
Bojan Bogdanovic erdhi nga Fenerbahçe te Netsat në vitin 2014 dhe që nga ajo kohë ka mesatare prej 1.14 treshe të shënuara për ndeshje nga 3.8 tentime për ndeshje.
Tash misioni i Bogdanovicit (i 12-ti në listë të Netsave) është të arrijë në TOP 10 në histori të ekipit të Netsave për treshe, pasi që afër e ka Stephon Marburyn (234), Mirza Teletovicin (235) dhe Lucious Harrisin (236).
FAKTE:
Drazen Petrovic ka ndërruar jetë në moshën 28 vjeçare, në një aksident komunikacioni. | Bojan Bogdanovic është aktualisht 27 vjeç. | Drazen Petrovic ka qenë ndër lojtarët e parë europian që kanë depërtuar në NBA. | Drazen Petrovic ka luajtur për Portland Trail Blazers (1989-1991) dhe New Jersey Nets (1991-1993) |