RRESHTOJNË FITORET!
Chelsea fiton dhe i afrohet në dy pikë liderit
15 December, 2024 @22:05
Dominoi në pjesën më të madhe të ndeshjes dhe e fitoi të pestën me radhë në kampionat, për t’iu afruar në vetëm dy pikë liderit, Liverpool. Chelsea përsëri ka treguar performancë të fortë, pos minutave të fundit kur mysafirët ngushtuan rezultatin, por pa mundësi për të shënuar edhe njëherë për të marrë barazim. .
Chelsea mposhti Brentfordin e Thomas Frankut 2-1, ndërsa golin e parë e shënoi Marc Cucurella (43’) me kokë, pas një krosimi të bukur të Noni Maduekes, e golin e fitores e realizoi Nicolas Jackson (80’), që goditi fortë, pas një kundërsulmi kur pranoi top të gjatë prej Enzo Fernandezit. Goli i Bryan Mbuemos (90’) bëri që të tensionohen vendasit kah fundi, ndërsa Cucurella mori karton të dytë të verdhë për tu përjashtuar në fund të ndeshjes.
Të kaltërit e drejtuar nga Enzo Maresca tash kanë arritur fitoren e dhjetë kampionale dhe nga 16 ndeshje kanë 34 pikë, dy më pak sesa Liverpooli që ka një ndeshje më pak të luajtur. Brentfordi, që është ekip mjeshtër për fitore si vendas dhe ka arritur më së shumti pikë nga të gjitha ekipet në Premier Ligë nëse llogariten ndeshjet si vendas, është i 11-ti në renditje me 23 pikë.