DY KAMPIONË I MPOSHTIN BRENDA JAVËS
Liverpooli nuk njeh kundërshtar! Fitorja e shtatë me radhë vjen ndaj kampionit
1 December, 2024 @21:41
Pas fitores së shënuar në mesjavë ndaj kampionit të Evropës në Ligë të Kapmionëve, Real Madrid, Liverpool i Arne Slotit sot ka thelluar edhe krizën e kampionit të Anglisë, Manchester City, duke i shkaktuar disfatë atyre me rezultat 2-0 [Gakpo 12’, Salah 78’pen.].
Virgil Van Dijk ka mbajtur të qetë Erling Haalandin, ndërsa loja e shpejtë dhe solide e Liverpoolit ka vazhduar nën drejtimin e Slotit që po merr një lakore rapide lartë, me një lojë shumë më solide sesa spektakulare. Në javët e fundit, Liverpool po tregon performancë edhe më të lartë të lojës.
Nuk u ndalën në pjesë të parë, edhe pse shënuan herët përmes Cody Gakpos, gol që erdhi pas një pasimi të gjindshëm të Mohamed Salahut, ndërsa mundësitë tjera ose nuk gjetën rrjetën ose portieri Stefan Ortega i mbrojti. Van Dijk goditi shtyllën kur u tregua më i gjati në goditje me kokë pas një korneri pranë rezultatit 1-0! Derisa Liverpool ka shënuar fitoren e shtatë në shtatë ndeshjet e fundit në të gjitha garat, një tregim tjetër është duke ndodhur për kundërshtarin kampion aktual të Anglisë.
Manchester City ka pësuar humbjen e pestë në gjashtë ndeshjet e fundit, ndërsa tentimi i Josep Guardiolës që të ndërrojë diçka në pjesë të dytë me futjen në lojë të Jeremy Doku, Savinho, më pas edhe të Kevin de Bruyne e Jack Grealish - nuk rezultoi! Sulmet e tyre nuk gjetën rrugën për rrjetë, pos një momenti kur gaboi Van Dijk dhe aty në skenë doli Caoimhín Kelleher që mbrojti goditjen jo fortë të fuqishme të De Bruynes.
E posedimi i topit nga Manchester City më pas mundësoi që me një kundërsulm të shpejtë, Luiz Diaz të pengohet në zonë, derisa ylli i “Anfield Roadit” Mohamed Salah konvertoi penalltinë në gol për 2-0! Të kuqtë mbyllin xhiron e XIII në kuotën e 34 pikëve, 9 më shumë sesa Arsenali e Chelsea ndjekës, derisa Manchester City zbret në të pestin vend këtë xhiro, me 23 pikë - 11 larg liderit!