XHIRO XX

BOROZANI/Erdis Driza
Çka na pret në fundjavë?!
20 February, 2015 @12:54
Përveç ndeshjes Vëllaznimi - Peja, ku verdhezinjtë janë bindshëm favorit krahasuar me ekipin aktual gjakovar që në dispozicion ka vetëm lojtarë vendorë, të gjitha ndeshjet tjera të xhiros së XX të Superligës pritet të jenë interesante dhe emocionale.
Të shtunën, luhen dy takime që pritet të ngjallin kërshërinë e basketbolldashësve të shumtë në vend.
Derbi i pjesës së poshtme
Kastrioti në Ferizaj pret Besën e Pejës. Ekipi i fundit në renditje tabelare, luan ndaj të parafundit në tabelë dhe kërkon fitore për të ngjallë shpresat e mbijetesës, me trajnerin e ri që ia nisi punës me fillim të gjysmëstinorit të dytë, Jeton Nixha.
Kastrioti, për më tepër, ka përforcuar radhët e veta edhe me qendrën bullgare, që nuk është konfirmuar se do të paraqitet apo jo nesër ndaj Besës.
Nikolay Balev, është paraqitur për regjistrim dje në Federatë të Basketbollit të Kosovës, derisa Kastrioti me bilanc 2-17 kërkon fitore ndaj Besës me bilanc 3-16.
Kjo, nuk do të thotë që Besa është dorëzuar. Ekipi i dytë për kah cilësia në Pejë, po kërkon fitoren e parë nën drejtimin e trajnerit të ri të tyre, Valentin Spaqi.
Besa gjithashtu si duket më në fund është stabilizuar me basketbollistë të huaj në skuadër, pasi që nuk kanë ndërruar më lojtarë prej se aty erdhi Spaqi.
Fryma e Play-Offit
E shtunja nuk përfundon këtu. Në Prizren, Bashkimi pret rivalin e vjetër, Trepçën, prej të cilës ka pësuar humbje në Sezai Surroi në pjesën vjeshtore, derisa te mitrovicasit luante Ken Brown.
Pa Endrit Hysenagollin e operuar nga lëndimi si dhe me moshyrjen në formë të dyshes së fundit, Elijah Obade dhe Tray Woodall, Bashkimi nuk do të ketë aspak lehtë që të mposht Trepçën, që është 100% vendore dhe po tregon lojëra të mira.
Mitrovicasit pasi që nuk morrën asnjë nga basketbollistët e paraqitur në FBK gjatë afatit kalimtar, kanë vendosur që të ecin këtë kampionat me vendorë, ku ata po tregojnë lojëra tejet të mira, si dhe natyrisht, që është më e mira, po krijojnë ekip për të ardhmen me fondin e të rinjëve që po përfitojnë përvojë.
Dueli i të pamposhturve të pranverës
Të dielën, zhvillohet derbi i skuadrave të pamposhtura në pjesën e dytë të stinorit në Superligë, Ylli - Sigal Prishtina.
Suharekasit janë në formë të shkëlqyer dhe në formën më të mirë që kanë kapur këtë stinor. Me përforcimin e fundit në ekip, Mario Pesut, ata dëshirojnë që t’i shkaktojnë edhe më shumë siklet bardhekaltërve kampionë nga kryeqyteti - të cilët shpëtuan vetëm në saje të Dardan Berishës gjatë pjesës vjeshtore të kampionatit, kur shënoi rekordin e tij të stinorit, 49 pikë!
Ylli në gjashtë ndeshjet e fundit të Superligës nuk ka pësuar humbje dhe shto këtu edhe fitoren në Kupë, ata kanë kapur serinë e shtatë ndeshjeve - vetëm fitore.
Në anën tjetër, Sigal Prishtina, që është skuadra më e përforcuar në vend dhe po kërkon mbrojtjen e titullit, nuk dëshiron që të befasohet në Suharekë.
Ata janë në seri prej 11 ndeshjeve me fitore në Superligë dhe këtë assesi nuk duan ta lëshojnë për të thyer rekordin e stinorit, që e mban Peja, me 13.
Mëposhtë shikoni orarin e ndeshjeve dhe përballjet e deritashme të ekipeve gjatë stinorit në Superligë.
REZULTATET E DERITASHME, TABELA AKTUALE DHE NDESHJET E RADHËS
Orari dhe datat e xhiros XX:
E shtunë, 19:00, Bill Cliton, Ferizaj | Kastrioti - Besa | Përballjet e deritashme: Kastrioti 2-0 Besa | |
E shtunë, 19:00, Sezai Surroi, Prizren | Bashkimi - Trepça | Përballjet e deritashme: Bashkimi 1-1 Trepça | |
E diel, 19:00, Shani Nushi, Gjakovë | Vëllaznimi - Peja | Përballjet e deritashme: Vëllaznimi 0-2 Peja | |
E diel, 19:00, 13 qershori, Suharekë | Ylli - Sigal Prishtina | Përballjet e deritashme: Ylli 0-2 Prishtina |