CLIPPERS vs. BULLS
Clippers fiton, mban kreun e Perëndimit
20 November, 2016 @11:17
Me fitoren e vendasve u mbyll takimi kryesor i natës së mbrëmshme në NBA.
Clippers shënuan fitoren e 12 këtë sezon, duke u dëshmuar edhe një herë se janë njëra prej skuadrave më të mira të Konferencës Perëndimore.
Në fakt, skuadra nga qyteti hollivudian ishte në disavantazh në 3 çerekët e parë, me Chicagon e udhëhequr nga Dwayne Wade dhe treshet e tij që dukej se do ta fitonte këtë takim. Mirëpo, rikthimi i Clippersave ndodhi në çerekun e fundit, çerek në të cilin ata aplikuan një mbrojtje solide dhe një sulm efikas, duke shënuar plot 30 pikë dhe duke pësuar vetëm 18, për ta mbyllur kështu takimin me fitore me shifrat 102-95.
Më i dalluari në këtë fitore të liderit të Konferencës Perëndimore ishte Blake Griffin me 26 pikë, 11 kërcime e 5 asistime, i ndihmua edhe nga Chris Paul, i cili kishte 19 pikë e 8 asistime.
Te mysafirët nga Chicago u dallua Dwayne Wade me 28 pikë, prej të cilave 5 treshe, ndërsa 22 pikë shtoi edhe Jimmy Butler.
Pas humbjes së mbrëmshme, seria e Chicagos është 8-5, ndërsa Clippers kryeson Perëndimin me seri 12-2.