EKSKLUZIVE
“Curry” – erëza më e re e basketbollit!
Shkruan: Blerim MYFTIU
7 December, 2015 @9:50
Në epiqendrën e basketbollit botëror qëndron momentalisht Stephen Curry dhe ekipi i tij, Golden State Warriors. Ka kohë që një lojtar dhe më pak, një ekip, nuk kishte dominuar në mënyrë kaq të bindshme skenën e ligës më të fuqishme të basketbollit në botë. Seria më e mirë fillestare prej 16 fitoreve rresht në start të kampionatit pritet të shihet nëse do të jetë lajmëtarja e shumë të tjerave që do të pasojnë në këtë stinor.
Përtej serisë mbresëlënëse, përshtypje lë lehtësia me të cilën Curry dhe miqtë arrijnë deri te fitoret. Ata i mposhtin kundërshtarët me mesatarisht 15 pikë dallim, shënojnë mesatarisht mbi 120 pikë në lojë dhe 15 fitore të sivjetme janë shënuar me së paku 10 pikë dallim. Vetëm për një fitore nuk ka mjaftuar koha e rregullt prej 48 minutash.
Ku qëndron çelësi?
Gazetarët amerikanë kanë renditur disa arsye apo shpjegime të mundshme për suksesin e ekipit nga Kalifornia. Në ekip ekziston tradita që në ndeshjet që luhen si mysafir, ekipi ha së bashku. Ushqimi i përbashkët duket se krijon kimi më të mirë në fushë. Zgjidhjen për mënyrën e pagesës duket se e kanë gjetur – luajnë rulet me kartela bankare.
Vija e jashtme e Warriors e përbërë nga Stephen Curry, Klay Thompson, Andre Iguodala dhe Draymond Green është më e shkurtër se 207 centimetra secili, por në përgjithësi e ka mesataren më të lartë të saktësisë pjesëtuar me numrin e sulmeve të organizuara të ekipit. Përgjigje për ta ndalur këtë vijë nuk e ka gjetur ende askush. Përgjigje nuk është gjetur as për shutin marramendës, të pabesueshëm dhe preciz të Stephen Curryt, vetëm. Përgjigja e përbashkët është se bëhet fjalë me gjasë për shuterin më të përafërt me perfeksionin.
Si shutohet si Curry?
“Si t’ia bëj që edhe djali im të gjuajë si i juaji, më pyesin prindërit”, rrëfen babai i Stephen Curryt, Dell Curry, i cili po ashtu ka qenë lojtar për 16 stinorë në NBA. “Përsëritja. Duhet ta keni besimin që mund ta bëni. Ky besim arrihet vetëm pasi ta vini në funksion punën. Pastaj, ju mbetet që këtë ta ushtroni dhe ushtroni”, është përgjigja e Curryt plak.
Ekzistojnë disa përgjigje shkencore për precizitetin më të lartë të Curryt në krahasim me pjesën e mbetur të ligës të cilat i ka përmbledhur Ben Cohen për Wall Street Journal. Curry, gjatë tentimeve për tri pikë, e lëshon topin nga dora për rreth 0.3 sekonda, që është së paku 0.1 sekonda më shpejt se shuterët e tjerë kryesorë të ligës. Ai e arrin këtë përparësi duke pasur kërcim më të ulët gjatë gjuajtjes dhe duke gjuajtur gjatë kërcimit, jo duke kërcyer së pari dhe pastaj gjuajtur.
Matja e gjuajtjeve 3-pikëshe e të gjithë lojtarëve që është bërë në periudhën tetor-dhjetor 2014 ka vënë në pah se harku i gjuajtjes arrin lartësinë maksimale 4.80 metra nga toka. Curry gjuan më lart dhe krijon një hark më të rrëpirë, duke pasur mesataren e lartësisë maksimale 4.94 centimetra. Kësisoj krijohet një diametër më i gjerë në kosh. “Nëse nuk mund ta ndryshosh madhësinë e topit, mund të ndryshosh madhësinë e cakut”, jep një shembull të veçantë, trajneri i 3-pikëshave në Dallas Mavericks, Gary Boren.
Trajneri i Curryt në Golden State, Steve Kerr, dhe për koincidencë lojtari me përqindjen më të lartë të precizitetit për 3 pikë në NBA, mendon që suksesi i lojtarit të tij qëndron në ndërveprimin e trurit me pjesën tjetër të trupit të tij, përkatësisht në koordinimin dorë-sy.
Kerrin e mbajmë mend nga roli episodik të cilin e ka luajtur në kohën e artë të Chicagos. Ai ka pasur 1599 tentime për 3 pikë gjatë karrierës duke e arritur precizitetin 45.4 për qind. Curry deri tani ka tentuar 2941 herë dhe përqindja e tij është 44.3.
Rekordet në pritje për t’u thyer
Golden State Warriors ka siguruar tanimë 26 fitore rresht, 22 të këtij stinori dhe 4 fitoret e fundit të sezonit të kaluar. Seria më e afërt që është cak të tejkalohet është ajo e LeBron Jamesit kur luante para dy stinorësh me Miami Heatin. Floridasit patën shënuar 27 fitore rresht në atë sezon. Kurse, rekordin absolut të të gjitha kohëve në NBA për më së shumti fitore rresht e mban brezi legjendar i Los Angeles Lakersit nga sezoni 1971/72, në krye me Elgin Baylor, Jerry West dhe Wilt Chamberlain, i cili brez kishte arritur të shënonte 33 fitore rresht.
Rekordi i cili pritet të shihet nëse do të arrihet në fund të sezonit është i Chicago Bullsit nga sezoni 1995/96. Në këtë stinor, lartajrësia e tij, Michael Jordan, e kishte udhëhequr Chicagon drejt 72 fitoreve dhe vetëm 10 humbjeve gjatë sezonit të rregullt prej gjithsej 82 ndeshjesh. Tani, pas 20 vitesh, kur sapo është kaluar çereku i sezonit, Warriors duket të jetë më afër se kurrë këtij rekordi që mendohej se do të ishte i paarritshëm!