Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

FINAL 8 "GJAKOVA 2024" — ÇEREKFINALJA: 4

Dardani përsëri shkëlqen, Prishtina ndaj Bashkimit në gjysmëfinale

Foto: KBPrishtina/ fb

Dardani përsëri shkëlqen, Prishtina ndaj Bashkimit në gjysmëfinale


14 February, 2024 @23:34

Dardan Berisha sonte ka shkëlqyer përsëri. Që prej rikthimit të tij, në tre ndeshjet e fundit, duke llogaritur edhe këtë të sontmen, ai ka treguar vlerat e tij. Ka shutuar me saktësi 63% për tre pikë, duke dhënë 7 prej 11 tentimeve për tresh. Kreu lojën me 27 pikë, 3 asistime e 5 kërcime, ndërsa u bë edhe koshashënuesi më i mirë i ndeshjes në fitoren 108-90 që Prishtina e shënoi në çerekfinale të Kupës ndaj Prizrenit.

Këta të fundit, filluan aq mirë ndeshjen sa që pritej që dueli të merrte kahje tjetër gjatë pjesës së dytë. Mirëpo, Prishtina arriti që të menaxhojë situatën me lojtarët më me përvojë në ekip, derisa Derrick Wilson, Shaheed Davis e Donovan Smith dhanë nga 14, ndërsa Henrik Sirko 15 pikë në fitore.

Wilson bëri edhe 8 asistime, derisa Prishtina në çerek të tretë theu lojën në të mirë të veten dhe kështu në çerek të fundit kontrolloi rezultatin karshi bardhezinjëve të ekipit prizrenas të cilëve sikur u humbi energjia dhe s’mundën të bënin më tepër.

SKEMA E KUPËS

Përndryshe, Arti Hajdari ka pasur ndeshjen më të mirë prej se u rikthye te KB Prizreni, duke dhënë 23 pikë, ndërsa përqindja për treshe i shkoi në 71% saktësi, duke shënuar 5 prej 7 tentimeve në total. Ty Cockfield dha 21 pikë, duke shtuar edhe 6 asistime në llogari të veten, derisa te ekipi i Rigon Hasit ka qenë vetëm edhe Urim Zenelaj që dha pikë dyshifrore, 13.

Trajneri i Prishtinës Jaksa Vulic duket të jetë i kënaqur me paraqitjen e lojtarëve të tij pas çerekut të parë, ndërsa tash bardhekaltërit kryeqytetas që nesër në mbrëmje i pret dueli gjysmëfinal, ndaj Bashkimit. Bashkimi eliminoi rivalin kryesor të Prishtinës Pejën. Përballja e dytë gjysmëfinale Bashkimi-Prishtina zhvillohet prej orës 20:00 në “Shani Nushi” nesër mbrëma.


 
Të gjitha lajmet nga Kupa e Kosovës