ANALIZË
Debutimi pa fitore, kohë për reflektim
Shkruan: Blerim MYFTIU
18 September, 2016 @11:28
Përfaqësuesja e Kosovës debutimin në kualifikimet për Eurobasketin e përmbylli pa fitore, me gjithsej 6 humbje. Para fillimit të kualifikimeve, vështirë se parashikohej ndonjë fitore, por pas paraqitjes në ndeshjet e luajtura në Mitrovicë mbetet shija e hidhur se ndonjëra prej tyre madje mund të fitohej. Dy ndeshjet e fundit, pas humbjes së gjasës për kualifikim, ishin të vështira në aspektin e motivimit dhe të përqendrimit. Pas vizitës turistike Vilniusit, ekipi u duk më i motivuar për ndeshjen e fundit, por prapë në fund mungoi organizimi, medoemos edhe përvoja, që topat të përdoren më mençur dhe të arrihet fitorja.
Kosova e luajti ndeshjen e parë pa Justin Doellmanin, kështu që iu krijua hapësira Alban Veselit të startonte. Leonard Mekaj ishte startues në pozitën 1, por shpejt ia la vendin Scott Bamforthit i cili debutoi. Patëm probleme me Jason Washburnin “tonë” nën kosh, cili në çerekun e parë shënoi gjysmën e pikëve të Bullgarisë (9 nga 20). Por, pas hyrjes së Bamforthit u krijuan hapësirat për gjuajtje dhe me një tresh të tij dhe një të sekondës së fundit të Yll Kaçanikut, arritëm që pas dy shkëputjeve prej minus 6 pikësh të Bullgarisë ta përmbyllim çerekun e parë në disavantazh 18:20.
Çereku i dytë doli të jetë vendimtar për humbjen. Në këtë periudhë nuk shënuam pikë në 4 minutat e para, arritëm të shënojmë vetëm 10 karshi 22 sosh të kundërshtarit. Washburni u ndal, por tërhoqi vëmendje të madhe në mbrojtje duke u lejuar lojtarëve të jashtëm bullgarë të tregohen precizë në gjuajtjet nga loja, gjë që solli edhe diferencën prej 28:42 në gjysmë të lojës.
U kthyem të motivuar dhe agresivë nga pushimi. Krijuam një seri prej 10:2, shënuam në fillim 3 nga 4 tentimet për tresh dhe e mbajtëm hapin duke e zvogëluar dallimin në 43:50 në fund të çerekut të tretë. Duhet theksuar se bashkëpunimi Veseli-Rugova në pozitat 4 dhe 5 ishte shumë frytdhënës. Fisnik Rugova qëndroi ndoshta pak më gjatë në stol gjatë çerekut të dytë, kur edhe u krijua epërsia. Mirëpo, prania e tyre e përbashkët në çerekun e tretë dhe blloku i dyanshëm i lartë që u aplikua në organizimin e Bamforthit ishte një shabllon që solli rezultat në çerekun e tretë.
Angazhimi i mirë dhe sidomos agresiviteti në mbrojtje ndikoi që në tre minuta para përfundimit të ndeshjes të ishim në minus 57:59. Por, çuditërisht, u përzgjodh skema e sulmit e cila synonte depërtimin individual të Dardan Berishës. Mbrojtja agresive ndaj tij në dy sulme rresht e detyroi atë që topin t’ia japë Bamforthit dhe ky të tentojë dy herë për tresh në sekondën e fundit. Këtu përfunduan edhe shpresat e gjasat dhe fundi me gabime taktike ia mundësoi Bullgarisë fitoren prej 62:67.
Mungesa e një tandemi dominues bullgar nën kosh na bëri këtë herë të barabartë në trapez, duke pasur vetëm një kërcim më pak se kundërshtari. Por, patëm sërish një natë dëshpëruese për tentimet jashtë vijës 6.75 metra duke shënuar vetëm 8 herë nga gjithsej 34 tentime. Po të kishim pasur edhe 3-4 shënime në momentet kur ndeshja thyhej, si edhe po të kishim qenë më të organizuar në dy sulmet e fundit, do ta kishim pasur ndoshta edhe fitoren. Krejt kjo e kujton ndeshjen me Ukrainën në Mitrovicë, që po ashtu u humb në saje të mosorganizimit të mirë të tre sulmeve të fundit.
Epilogu do të mund të ishte më ndryshe. Do të ishte e pamjaftueshme për kualifikim, por mund të na kishte dhënë një shtysë dhe një pozitë të tretë në grup e cila pozitë do të na mbante brenda kualifikimeve për Botërorin e 2019-s në Kinë. Në përgjithësi, kishim dy fytyra – një në Lubjanë, Vilnius dhe pjesërisht në Botevgrad ku nuk qemë asgjë më tepër se “sparing-partner” dhe tjetrën fytyrë në Mitrovicë e cila na bindi se basketbolli në Kosovë mund të na dhurojë në të ardhmen goxha kënaqësi dhe vend në hartën evropiane.