PA FITORE
Fitorja, ndonjëherë tjetër
17 September, 2016 @21:42
Djelmoshat e Kosovës nuk kanë arritur të shijojnë fitoren e shumëkërkuar në kualifikime për Eurobasket2017, duke e përfunduar ciklin kualifkues me 6 humbje nga 6 ndeshjet.
Sonte, edhe pse gjasat ishin më të mëdha, djelmoshat e Arben Krasniqit nuk kanë arritur të shënojnë fitore dhe në fund u mposhtën 62-67.
Bullgaria lojën më të mirë të saj e shfaqi në çerek të dytë, kur krijoi epërsi 12 pikëshe dhe këtë e mbrojti sado që mundi mirë deri në fund të ndeshjes, për të arritur te fitorja e dytë në grup.
Jason Washburn ka qenë më efikasi te Bullgaria duke shënuar 14 pikë dhe 6 kërcime, ndërsa përveç tij pikë dyshifrore te Bullgaria shënuan edhe Aleksandar Velikov 13 pikë + 7 kërcime + 4 asistime dhe dyshja Ivanov e Lilov, me nga 10 pikë secili.
Te Kosova më efikas ka qenë amerikani i natyralizuar Scott Bamforth. Ai e kreu ndeshjen me 21 pikë të shënuara, 4 asistime e 5 kërcime. Ndërsa përveç tij, Fisnik Rugova e Alban Veseli shënuan pikë dyshifrore, nga 12 secili.
Kështu, cikli kualifikues për Kosovën përfundon me bilanc 0-6, ndërsa për Bullgarinë 2-4.