KUALIFIKOHEN
Sllovenia perfekte, siguron fitoren krejt në fund
17 September, 2016 @16:56
Edhe pse pritej fitorja e Sllovenisë në ndeshje ndaj Ukrainës sot, në duelin që do ta përcaktonte fituesin e Grupit E, u tregua që Ukraina është rivale shumë-shumë e fortë.
Në fakt, Sllovenia e fitoi ndeshjen krejt në fund, kur u shkëputën në rezultat pasi që dy basketbollistë ukrainas u ndëshkuan me 5 personale, Mishula (12 pikë) dhe Lypovyy, ndërsa Fesenko u tregua tepër i kujdesshëm në 5 minutat e fundit, kur tashmë ishte ngarkuar me 4 personale.
Te sllovenët, kush tjetër pos NBA yllit, Goran Dragic. Shkëlqeu përsëri me 22 pikë të shënuara, me 43% saktësi në shut, 100% nga gjuajtjet e lira, 5 asistime dhe 3 topa të vjedhura.
Dragicit i ndihmuan edhe Klemen Prepelic me 15 pikë e 6 asistime si dhe Alen Omic me 15 pikë e 9 kërcime.
Fakt tjetër nga takimi është që asnjë lojtar i Sllovenisë s’ka qenë për 30 minuta të plota në parket. Ndërsa Gëzim Morina nuk është paraqitur asnjë sekond në këtë ndeshje, duke qenë pjesë e bankës rezervë e pashfrytëzuar bashkë me Dimecin, që gjithashtu s’fitoi asnjë sekond nga selektori Igor Kokoskov.
Me këtë fitore, Sllovenia ka sigururar kualifikimin në Eurobasket 2017, ndërsa Ukraina pret vetëm edhe disa ndeshje për të parë nëse do të jetë te ekipet e vendeve të dyta më të mira të ranguara për të siguruar europianin.