TREPÇA - PRISHTINA

Derbi në letër, deklasim në parket
8 December, 2019 @20:47
Derbi i vjetër i Superligës së Kosovës në mes të Trepçës dhe Prishtinës, përfundoi me fitoren e thellë të skuadrës nga kryeqyteti me rezultat 65-105.
Epërsinë e krijuar në çerekun e parë dhe duke pësuar vetëm 9 pikë, Prishtina me lehtësi e mposhti kundërshtarin në Mitrovicë.
Pesë lojtarë te Prishtina luajtën me pikë dyshifrore. Divine Myles luajti me 20 pikë e 6 asistime, derisa u dalluan edhe Fahro Alihodzic me 19 pikë e 4 kërcime, Fisnik Rugova me 16 pikë, Mikaile Tmusic me 15 pikë, 8 kërcime e 5 asistime dhe Meriton Ismaili me 15 pikë të tjera.
Te Trepça u dalluan Malik Irwin me 19 pikë e 9 kërcime dhe Besnik Azemi me 14 pikë.
Prishtina me një lojë më pak gjendet në pozitën e tretë me 10 fitore e 3 humbje, derisa Trepça është në zonën e rrezikshme me 2 fitore e 14 humbje.
Në xhiron tjetër Prishtina takohet me Bashkimin, kurse Trepça me Feronikelin.