FINAL FOUR 2015 - SUHAREKË

Çast nga gjysmëfinalja 2013 e Final Fourit të Kupës, kur u ndeshën Sigal Prishtina dhe Trepça/ BOROZANI/Erdis Driza
Dueli i parë i Final Fourit
5 March, 2015 @23:33
Fituesi i fundit i të gjitha trofeve në vend, Sigal Prishtina, takohet nesër me rivalen e vjetër të saj, Trepçën në palestrën 13 qershori të Suharekës për të përcaktuar finalistin e parë të Kupës së Kosovës.
Ekipi prishtinas i udhëhequr nga trajneri maqedon, Marjan Ilievski, është favorit i pastër para ekipit të Ilir Selmanit.
Prishtina favorite
Kjo, si përkah buxheti ashtu edhe për kah fondi dhe cilësia e lojtarëve, derisa mitrovicasit, nëse asgjë, janë duke krijuar ekip vendor, për vitet e ardhshme në vend.
Prishtina është mbrojtëse e trofeut të Kupës, të cilën e ka fituar në dy stinorët e fundit. Para Prishtinës, Trepça ka qenë ekip i fundit që e ka fituar Kupën e Kosovës, në Final Fourin 2012 e organizuar në Pejë, kur kishte mposhtur pikërisht bardhekaltërit në gjysmëfinale për të mposhtur Bashkimin në finale, derisa atëbotë udhëhiqej nga Drilon Hajrizi dhe Jaleel Nelson (tash të dy te Peja).
Ndeshja e nesërme pritet të jetë një tregim krejt tjetër nga ajo e cekura pak më lartë. Prishtina tashmë si superfuqi ballkanike udhëton në Suharekë jo për finale, por për Kupën e tretë me radhë. E fuqizuar si me lojtarë vendorë, ashtu edhe me të huaj cilësorë, ekipi nga kryeqyteti nuk do të duhej të kishte probleme nesër ndaj Trepçës.
Trepça, punon për të ardhmen
Mirëpo, atë që po e bën Trepça këtë stinor - ia kanë lakmi të gjithë. Mitrovicasit përkundër se po rrezikojnë edhe Play-Offin, janë duke krijuar ekip cilësor me prodhime vendore.
Të rinjtë si Samir Zekiqi, Arian Memeti, Arian Tahiri dhe të tjerët, po luajnë pjesën më të madhe të ndeshjeve të ‘xehetarëve’ ndërsa po marrin përvojë të jashtëzakonshme në duele me ekipe tjera.
Ata po kombinohem mes veti gjithnjë e më shumë, ndërsa vetëbesimi po i shtohet. Trepça stinorin e kaluar kishte munguar në Final Four, kur u eliminua befasisht nga Besa e Pejës. Por kësaj radhe mitrovicasit janë aty.
Fjala e fundit, thuhet në parket
Trepça gjatë këtij stinori dhe në stinorin e kaluar nuk ka arritur asnjëherë të mposht Prishtinën. Rivaliteti po bëhet edhe më i madh, por mitrovicasit po durojnë derisa të stabilizohen me palestër.
Sidoqftë, ndeshja e parë e Final Fourit të Kupës pritet të jetë interesante derisa ekipi i drejtuar nga Ilir Selmani, nuk do të lë Prishtinën që të kalojë lehtë në takim.
Të dyja tifozëritë kanë paralajmëruar udhëtim për në Suharekë, derisa ndeshja pritet të ngjallë emocione të mëdha.
FOTOGALERI nga takimi i fundit i Sigal Prishtinës dhe Trepçës në Kupë, Final Four 2013