Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

E DYTA RRESHT PËR DUKAGJININ

Dukagjini fut Feronikelin’74 në krizë të rezultateve

Foto: KFDukagjini/ fb

Dukagjini fut Feronikelin’74 në krizë të rezultateve


31 August, 2024 @18:48

Dukagjini i Klinës i drejtuar nga Ismet Munishi pas startit jo të mirë të stinorit me dy humbje radhazi, tashmë është këndellur dhe ka arritur fitoren e dytë me radhë për të arritur në gjashtë pikë pas katër ndeshjeve të luajtura në Superligë.

Ekipi mysafir sot ka shënuar fitore në “Rexhep Rexhepi” ku tifozët vendas në shenjë pakënaqësie shkaktuan ndërprerjen prej afro 10 minutash të ndeshjes, ku pas zbrazjes së një pjese të tribunës ndeshja vazhdoi. Kjo ndërprerje ndodhi rreth minutës së 40-të të ndeshjes.

Feronikeli’74 pësoi fillimisht kur mbrojtësi i mysafirëve Ilir Syla goditi fuqishëm nga jashtë zona, për t’ia dhënë epërsinë ekipit të tij (13’), ndërsa në pjesën e dytë, ka qenë sulmuesi gambian Ebrima Jatta që krijoi hapësirë duke shmangur kundërshtarin dhe plasoi për gol prapa Marly Prince-it në portën e vendasve, për të përcaktuar epilogun e ndeshjes, Feronikeli’74 0-2 Dukagjini [Ilir Syla 13’, Ebrima Jatta 58’].

TABELA AKTUALE

Derisa Dukagjini duket të jetë këndellur në xhirot e fundit, Feronikeli’74 është ekipi i vetëm në Superligë me katër ndeshje të zhvilluara dhe pa asnjë pikë të fituar, ku i ka pësuar të gjitha radhazi! Ekipi i Feronikelit’74 që shpëtoi stinorin e kaluar falë ndeshjes së barazhit, u drejtua sot nga Fidan Rexhepi.

Në xhiron e radhës, Feronikeli’74 do të shpresojë për pikët e para të stinorit në mysafirllëk te Gjilani, derisa Dukagjini do të kërkojë vazhdimin e formës së mirë në duel ndaj Malishevës.


 
Të gjitha lajmet nga FFK Superliga