Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

FITORE E MADHE E MALISHEVËS

Malisheva me 10 lojtarë fiton dhe njofton kampionin me humbje!

Fotot: FCMalisheva/ fb

Malisheva me 10 lojtarë fiton dhe njofton kampionin me humbje!


1 September, 2024 @19:53

Malisheva e drejtuar nga Bekim Isufi ka shënuar fitore shumë të rëndësishme sot në kuadër të xhiros së katërt të Superligës, ndërsa i ka dhënë humbjen e parë kampionit në fuqi, Ballkanit. Ekipi vendas, në fund të pjesës së parë mbeti pa njërin ndër mesfushorët më të rëndësishëm të skuadrës, kur Etnik Brruti mori kartonin e dytë të verdhë, ndërsa tërë pjesën e dytë luajti me dhjetë lojtarë në fushë, por kjo nuk i pengoi ekipit që të shënojë dy herë dhe të sigurojë fitoren: Malisheva 3-2 Ballkani [Arbër Prekazi 16’, Drilon Hazrollaj 61’, Fatjon Bunjaku 72’ - Sunday Adentunji 28’, Queven Inacio 89’].

Kjo ka qenë fitorja e dytë sezonale në tre ndeshje të luajtura të Malishevës, që po vazhdon stinorin pa humbje, ndërsa Ballkani ka pësuar për herë të parë në stinorin e ri dhe përkundër se mbyll xhiron si lider, ka një ndeshje më shumë të luajtur se disa nga kundërshtarët ndjekës që kanë pikë të njëjta në tabelë! Për më tepër, disa media veçse kanë njoftuar se Ilir Daja pas ndeshjes është përshëndetur me futbollistët e tij dhe mund të largohet nga klubi pas tre stinorësh me tituj kampioni. Për kuriozitet, Ballkani ka qenë ekipi i fundit ku ka punuar trajneri aktual i Malishevës Isufi dhe që në takimin e parë të tij kundër tyre, trajneri gjilanas mposhti ish-ekipin.

TABELA AKTUALE & REZULTATET

Sa i përket ndeshjes së sotme, pjesa e parë u krye me barazim. Ishte mbrojtësi me përvojë Arbër Prekazi që shënoi me kokë pas krosimit të Brrutit nga korneri (16’). Ballkani më pas barazoi me futbollistin e ardhur këtë verë, Sunday Adetunji, i cili pranoi topin nga Queven Inacio, ku ky i fundit po duket një lojtar mjaft i frytshëm për ekipin, derisa edhe braziliani erdhi këtë verë te suharekasit. Fundi i pjesës së parë pa ekipin e Bekim Isufit të zhgënjyer, kur mesfushori i dalluar Etnik Brruti mori kartonin e dytë të verdhë dhe u përjashtua (45’+2).

Arber Prekazi

Mirëpo, në vend se Ballkani të përqafojë mundësinë e epërsisë me futbollistë në fushë, ndodhi e kundërta në 45 minutëshin e dytë të ndeshjes. Së pari, i talentuari Drilon Hazrollaj shënoi për avantazhin e vendasve (61’) 2-1. Ndërsa pas 11 minutash lojë sulmuesi Fatjon Bunjaku shtoi epërsinë e ekipit të ri të tij, ku erdhi këtë verë (72’) për 3-1. E tëra që arriti të bëj Ballkani deri në fund të ndeshjes ishte ulja e epërsisë së vendasve, kur mesfushori kreativ i tyre Inacio shënoi për 3-2 (89’).

Pas kësaj xhiroje, skuadrat e Superligës shkojnë në pushim për shkak të ndeshjeve të kombëtareve në kuadër të Ligës së Kombeve. Në xhiron që vjen, pas dy javësh Ballkani pret Prishtinën në derbi, ndërsa Malisheva është mysafire e Dukagjinit që ka kapur formën së fundi me dy fitore radhazi.

 


 
Të gjitha lajmet nga FFK Superliga