Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

FITORE E MADHE E SUHAREKASVE!

Suhareka përmbys Gjilanin e mbetur me 10 lojtarë!

Suhareka përmbys Gjilanin e mbetur me 10 lojtarë!


1 September, 2024 @20:26

Gjënë që nuk arriti ta bëjë Ballkani sot, pasi që Malisheva kishte mbetur me 10 lojtarë në pjesë të parë të ndeshjes e bëri rivali lokal i kampionit. Suhareka, që pas 45 minutave të para të ndeshjes ishte në disavantazh ndaj Gjilanit sot, ka arritur që në pjesë të dytë të përmbys mysafirët për ta siguruar fitoren e dytë këtë stinor në Superligë. Kjo, pasi që gjilanasit e drejtuar nga Ardian Nuhiu mbetën me një lojtar më pak në fushë kur mesfushori i tyre Kushtrim Shabani u ndëshkua me karton të kuq (dy të verdha) kah fundi i pjesës së parë (40’). Suhareka 3-2 Gjilani [Mevlan Zeka 18’, Nikola Stijepovic 79’, Arvanit Rexhaj 85’ - Robert Rrahmani 14’, Senad Jarovic 38’].

Gjilani dominoi fillimisht në ndeshje. Ekipi i Ardian Nuhiut që ishte pa fitore pas tre ndeshjeve të para të luajtura këtë stinor e nisi më mirë dhe gjeti golin përmes Robert Rrahmanit (14’) që u asistua nga Sabit Bilali. Sidoqoftë, Suhareka e Shpëtim Duros u këndell shpejt falë një krosimi në zonë të Liridon Fetahajt, ku më pas Mevlan Zeka (18’) në formë qëlloi portën e Kenan Haxhihamzës që s’reagoi në zonë, pasi që priste mbrojtjen të largonte rrezikun nga krosimi! Ky ka qenë goli i tretë i gjakovarit Zeka në tre ndeshje kampionale.

Ekipi i Nuhiut vazhdon me posedim dhe kujdes, ndërsa Robert Rrahmani 20 minuta pas barazimit gjeti Senad Jarovicin shtatëgjatë, që shënoi për epërsinë e dytë të mysafirëve në ndeshje, kur shënoi për 1-2 (38’). Dy minuta më vonë, Kushtrim Shabani i Gjilanit mori karton të kuq, ndërsa udhëtuesit mbyllën pjesën e parë në epërsi, por me një lojtar më pak në fushë!

TABELA AKTUALE & REZULTATET

Tregim tjetër në pjesë të dytë të ndeshjes. Derisa 25 minutat e para të periudhës së dytë të lojës kaluan pa rreziqe shumë të mëdha, kur afrohej fundi Suhareka ndezi motorët dhe me përkrahjen edhe të publikut arriti që shënojë fitoren e madhe për të përmbysur gjithçka brenda gjashtë minutave. Ishte së pari krahu i majtë malazez i ekipit Nikola Stijepovic që shënoi për barazim 2-2 (79’) dhe këtë “ndezje” ekipi nuk e uli derisa shënoi golin e fitores, që erdhi me mesfushorin Aravnit Rexhaj (84’). As tetë minutat shtesë nuk i ndihmuan Gjilanit për të barazuar pas rezultatit 3-2 dhe kështu ekipi i Nuhiut doli kokulur nga stadiumi derisa Suhareka shënoi fitoren e dytë kampionle.

Aktualisht, Suhareka është e treta në renditjen tabelare të Superligës me pikë të njëjta si lideri Ballkani, 7. Gjilani ndërkaq është i teti, ende pa fitore dhe me vetëm 2 pikë! Ekipet shkojnë në pushim për dy javë për shkak të grumbullimit të kombëtareve për Ligë të Kombeve, ndërsa në xhiron e pestë të Superligës Suhareka e Duros udhëton për Ferizaj, e Gjilani pret Feronikelin’74 në shpresë për të shënuar fitoren e parë kampionale këtë edicion nën drejtimin e Nuhiut.


 
Të gjitha lajmet nga FFK Superliga