Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

DUELIN DRAMATIK, E FITON PRISHTINA

Prishtina rikthehet pas dy disavantazheve për të mposhtur Llapin

Foto: FCPrishtina/ fb

Prishtina rikthehet pas dy disavantazheve për të mposhtur Llapin


31 August, 2024 @21:58

Ndeshje dramatike por me fund të mirë për vendasit. Prishtina ka arritur të shënojë fitoren e dytë kampionale radhazi, ndërsa ekipi i drejtuar nga Jean-Michel Cavalli ka mposhtur Llapin e Tahir Batatinës që nuk ka arritur të mbrojë epërsitë që i kishte dy herë gjatë ndeshjes.

Prishtina fitoi duelin intensiv ndaj Llapit 3-2, pasi që arriti të rikthehet në lojë përkundër disavantazheve 0-1 dhe 1-2. Fillimisht në ndeshje pati një përplasje mes Ardi Hajdinit të Prishtinës dhe Valmir Veliut të Llapit. Të dy u zëvendësuan, ndërsa ky i fundit u dërgua me autoambulancë për në spital.

Pas kësaj, Llapi mori epërsinë, ishte përvoja e Ahmed Januzit që shfrytëzoi asistimin e Elvir Gashijanit për avantazh (33’). Prishtina nuk u dorëzua dhe me ngulm kërkoi barazimin, të cilin edhe e gjeti në minutat shtesë të pjesës së parë, kur zëvendësuesi i Hajdinit, Leonat Vitija qëlloi me kokë rrjetën e Ilir Avdylit pas pasimit të Ronald Sobowales.

TABELA AKTUALE & REZULTATET

Pjesa e dytë nisi gjithashtu me intensitet të theksuar. Përkundër dëshirës së vendasve, përsëri mysafirët morën epërsinë. Ishte mbrojtësi Ilir Blakçori që shënoi me goditje të fuqishme, pasi më parë pranoi topin nga shënuesi i golit të parë të ekipit të tij (56’) për 1-2. Tetë minuta pas golit, Blakçori u desht të zëvendësohej me Lulzim Pecin.

Cavalli në anën tjetër bëri dy zëvendësime (65’). Futi në lojë Jasharin dhe Yoan Marc-Olivierin në vend të Gallapenit dhe Sobowales. Nuk vonoi shumë, ishte Albin Krasniqi që me një gol të bukur nga distanca barazoi rezultatin (69’) 2-2. Dominimi i Prishtinës vazhdoi, ndërsa ishte zëvendësuesi me pasaportë angleze Marc-Olivier që qëlloi portën e Avdylit, edhe pse ky e ndali atë, por topi kishte kaluar vijën (76’). Gjyqtari Genc Nuza e pranoi golin, më pas e kontrolloi edhe në VAR dhe vulosi vendimin e tij, 3-2! Prishtina 3-2 Llapi [Leonat Vitija 45’+5, Albin Krasniqi 69’, Yoan Marc-Olivier 76’ - Ahmed Januzi 33’, Ilir Blakçori 56’].

Kështu, Prishtina fitoi ndeshjen e dytë me radhë dhe nga tre sa i ka zhvilluar deri tash ka shtatë pikë dhe është e dyta aktualisht në renditje. Llapi në anën tjetër që ka katër ndeshje të zhvilluara, ka pësuar humbjen e dytë me radhë dhe ka katër pikë duke qenë momentalisht në pozitën e gjashtë. Në xhiron që vjen Prishtina është mysafire e Ballkanit, ndërsa Llapi pret Dritën.


 
Të gjitha lajmet nga FFK Superliga