PRISHTINA - DUKAGJINI

Foto: FC Dukagjini / FB
Dukagjini triumfon në “Fadil Vokrri”, barazon pikët me Prishtinën
9 April, 2023 @16:58
Në duelin mes dy ish-futbollistëve të Vorsklës ukraines, Debatik Currit e Armend Dallkut, tash trajnerë të Prishtinës e Dukagjinit, fituese doli skuadra mysafire.
Përballjen në fjalë Dukagjini e fitoi 1-2 (Mërgim Pefqeli 26’ / Muhamed Useini AG 9’, Altin Merlaku 59’).
Seria e golave u hap nga Muhamed Useini në minutën e 9’. Ai shënoi në portën e gabuar për 0-1 të Dukagjinit, mirëpo barazimi vendas erdhi shpejt.
Ishte Mërgim Pefqeli ai që në minutën e 26’ barazoi në 1-1 pas asistimit nga Gledi Mici dhe me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë.
Në pjesën e dytë, ishte Dukagjini ai që e mori fitoren. Vendimtar në këtë trepikësh doli të jetë goli i shënuar nga Altin Merlaku në minutën e 59’. Asistues te ky gol ishte Ahmed Januzi, ish-sulmuesi i Prishtinës.
Pas golit të epërsisë, Dukagjini u mbajt mjaft mirë dhe arriti të largohet me 3 pikë nga “Fadil Vokrri”, pikë pas të cilave klinasit barazohen me Prishtinën sa i përket pikëve në renditje.