KLINË

Dukagjini zyrtarizon brazilianin Victor Lindenberg
13 January, 2022 @20:23
Victor Lindenberg do të jetë edhe zyrtarisht lojtar me kontratë i Dukagjinit, pasi që ekipi nga Klina ka bërë të ditur se ai ka bindur drejtuesit e klubit për cilësitë e tij dhe do të qëndrojë përgjatë gjithë stinorit me ekipin.
“Futbollisti brazilian ka bindur shtabin teknik dhe drejtuesit e klubit duke i ofruar kontratë dhe vazhduar bashkëpunimin me të edhe për pjesën pranverore të stinorit,” ka shkruar ndër të tjera njoftimi i KF Dukagjini sot.
Lindenberg, i lindur në dhjetor të vitit 1997, luan në krah të majtë si mbrojtës dhe është i njohur me depërtimet e tij, ndërsa përgjatë karrierës së tij ai ka luajtur në liga të ndryshme të Brazilit.
Futbollisti 24-vjeç ka debutuar për Dukagjinin në përballjen e zhvilluar ndaj Malishevës, që ka qenë ndeshja e fundit e pjesës vjeshtore të stinorit, ku ekipet barazuan 2-2.
Mbrojtësi i krahut të majtë, vlera e të cilit sipas Transfermarkt është 50 mijë euro, te Dukagjini kalon si lojtar i lirë, ndërsa ekipi i tij i fundit ka qenë FC ABC Futebol, që bën pjesë në kategorinë e tretë të futbollit të atjeshëm, Potiguar.
Victor Lindemberg Tavares Vieira - emri i plotë i lojtarit, kaloi provat me sukses dhe kështu ekipi i ka uruar tashmë edhe mirë se ardhje zyrtare në klub pasi që ai u bë me kontratë.