JAN MOCNIK

Facebook/ KB Peja (Faqja Zyrtare)
“E gjithë skuadra ishte e mirë”
11 December, 2014 @17:19
Organizatori slloven i Pejës, Jan Mocnik, ishte basketbollisti më i dalluar në fitoren shumë të rëndësishme të Pejës ndaj Kumanovës.
Ai luajti me 28 pikë, 3 asistime dhe 1 kërcim, duke qenë i saktë pesë herë nga vija e trepikëshit.
Mirëpo basketbollisti shtatshkurtër i pejanëve e ruajti modestinë e tij edhe pas ndeshjes, duke ia kushtuar meritat e fitores të gjithë bashkëlojtarëve të tij.
“Unë nuk isha më i miri, e gjithë skuadra ishte e mirë. Ishte mundi i skuadrës dhe unë i uroj të gjithë për këtë fitore të rëndësishme që e arritëm si mysafirë. I uroj fat Kumanovës dhe i përgëzoj ata për atmosferën e mrekullueshme,” tha Mocnik.
Fitorja e Pejës ndaj Kumanovës, si dhe fitorja e Sutjeskës ndaj Rilskit, i kanë komplikuar tejmase gjërat në grupin A të Ligës Ballkanike, pasi që tani katër skuadra kanë numër të njëjtë të fitoreve dhe të humbjeve.