SHQIPËRI

Edhe dy fusha pritet të marrin pamje të re
Teksti: FSHF
24 December, 2021 @15:24
“Selman Stërmasi” dhe “Skënder Halili”, dy stadiumet e radhës ku do investojë FSHF. Federata Shqiptare e Futbollit ka vendosur që të bëjë dy investime të rëndësishme në infrastrukturën e futbollit.
Në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së pak ditë më parë, pas vendimit për të ndërhyrë në rikonstruksionin e stadiumit të Lushnjes dhe ndërtimin e tre fushave të reja, anëtarët morën një tjetër vendim të rëndësishëm sa i përket përmirësimit të infrastrukturës.
Në bashkëpunim me klubin e Tiranës, Federata e Futbollit ka vendosur që të ndërhyjë në rinovimin e fushave të stadiumit “Selman Stërmasi” dhe në fushën e kompleksit “Skënder Halili”.
Tirana do të rinovojë bazamentin e stadiumit ndërsa ndërhyrja e FSHF-së konsiston në tapetin e ri të barit, që do të jetë natyral, ndërsa në kompleksin “Skënder Halili”, klubi i Tiranës do të mbulojë sërish rinovimin e bazamentit, ndërsa tapeti i ri do të mbulohet tërësisht nga FSHF-ja.
Këto janë dy investime të tjera të rëndësishëm në infrastrukturë sportive, pas disa investimeve të tjera që janë në proces apo që kanë përfunduar tanimë nga ana e Federatës Shqiptare të Futbollit.