BISEDË EKSKLUZIVE
Elvisi Dusha largohet nga Prishtina
12 November, 2016 @9:00
Skuadra e Sigal Prishtinës tashmë nuk do ta ketë në shërbimet e veta basketbollistin e kombëtares shqiptare, Elvisi Dusha.
Dusha është larguar nga bardhekaltërit, ndërsa arsyet e largimit të tij i ka sqaruar ekskluzivisht për Borozani.com.
“Jam larguar sepse ndjeja se ky nuk është më vendi i duhur për mua, mirëpo unë jam larguar duke pasur respekt nga secili në klub dhe duke pasur marrëdhënie të mira me lojtarët, trajnerin dhe drejtuesit. Kisha ndjenjën që ndoshta do të jem më mirë diku, ku do të kisha më shumë hapësirë për të luajtur,” ka thënë Dusha për Borozani.com.
Dusha ka pasur hapësirë shumë të vogël te Prishtina për shkak se është llogaritur si lojtar i huaj, ndërsa me ardhjen së fundit të amerikanit Louis Darby, numri i të huajve te Prishtina ishte rritur në shtatë, dy më shumë se që lejohet sipas rregullave, me ç‘rast largimi i tij u bë i pashmangshëm.
Elvisiu derisa ishte te Prishtina është paraqitur nga një herë në Superligën e Kosovës dhe në FIBA Europe Cup.
Së fundi nga Sigal Prishtina ishte larguar Gerti Shima, i cili u transferua te Tirana, ndërsa para tij ishte larguar kroati Goran Vrbanc në drejtim të skuadrës Karpos Sokoli.