PAPAZOV
Edhe unë do t’ia besoja Final Fourin, Prishtinës
15 April, 2014 @9:33
Trajneri karizmatik i Levskit të Sofjes, Konstantin Papazov, duke folur për përgatitjet e Final Four të ekipit të tij ka bërë të ditur se nëse do të ishte kreu i BIBL-it, vetë ai, do t’ia ipte organizimin e Final Fourit, Prishtinës.
“Nuk e doja organizimin e Final Fourit në Sofje për shkak të avantazhit si vendas, pasi që kemi ekipin më të mirë në ligën ballkanike. E doja për shkak të 100 vjetorit të Levskit. Në Bullgari një ngjarje e tillë, organizimi i saj, kushton shumë dhe nuk gjeneron të ardhura të mëdha,” Ka thënë fillimisht Papazov, që me ekipin e tij arriti në Final Four duke e eliminuar Kumanovën në TOP 6.
“Ne s’do të mund të dilnim me ofertë më të mirë se Sigal Prishtina, nëse flasim për biznes. Po të isha pronar i ligës ballkanike, edhe unë do ta zgjedhja Prishtinën si organizatore me kushtet që i kanë ofruar,” ka përfunduar Papazov komentin e tij.
Final Four i Balkan League do të organizohet në Prishtinë prej 25 deri më 27 prill. Sigal Prishtina në gjysmëfinale do të ndeshet me Galil Gilboan, derisa Levski Sofia me Balkan Botevgradin.