Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

EKSKLUZIVE

Ermal Kuqo, do të luante në Kosovë!

Ermal Kuqo, do të luante në Kosovë!


Intervistoi: Arian Paçarizi

6 July, 2013 @21:56

I lindur në shkurtin e ftohtë të Korçës, në vitin 1980, Ermal Kuqo, as që kishte paramenduar rrugën e tij të një basketbollisti kaq të suksesshëm - ndër më të suksesshmit te shqiptarët; Karrierën e nisi në Tiranë si i 10 vjeçar, ndërsa sot përkundër se ka minutazhë të vogël te Efesi, është njëri ndër personat më emblematik të skuadrës turke.

Karriera e Kuqos

Qëndroi në Tiranë deri në moshën 15 vjeçare për të shkuar në vitet e shkollës së mesme te Fenerbahçe e Stambollit, prej nga kaloi në NCAA duke luajtur për kolegjet e Fort Scott dhe Seminola.

Pas kësaj, ai iu kthye basketbollit europian, për të vazhduar në Kroaci me Splitin në stinorin 2001/02. Fqinjtë nga Sllovenia e vërejtën talentin e tij dhe e blenë atëherë 22 vjeçarin nga Korça, që kaloi një stinor të mirë te Zlatorog Lasko (2002/03).

Prej këtu, Kuqo bën kthesën më të madhe në karrierë dhe kalon te Efesi i Stambollit, duke kaluar pesë stinorë tejet të suksesshëm, prej nga ‘kapërcen’ në Spanjë për të luajtur me Pamesa të Valencias. Pas aventurës në gadishullin iberik, ai i kthehet përsëri Efesit (2009/10), për të qëndruar një vjet me Galatasarayin (2010/11) dhe i bashkangjitet ‘birrarisë’ Efes në 2011/12, me të cilët ka luajtur deri më sot.

Sistemi i lojës, jo i mirë për Kuqon

Mirëpo, Kuqo nuk vazhdoi më kontratën me klubin e tij.

“Kushdo që mund ta ketë ndjekur stinorin e posapërfunduar nuk do ta ketë të vështirë ta kuptonte arsyen. Për mua personalisht ka qenë njëra ndër më të vështirat, por jam profesionist dhe jam i detyruar të pranojë çdo vendim që merr trajneri. E vërteta është që stafi teknik i skuadrës zgjodhi të luajë një lloj loje që nuk ishte e përshtatshme për mua - dhe unë nuk pata shumë mundësi që të kem hapësirë sa i përket minutave në lojë. Ndërsa fakti që drejtuesit e skuadrës vendosën që të vazhdojnë me stafin e njejtë teknik, për mua automatikisht do të thoshte se koha ime në Efes kishte mbaruar,” ka treguar arsyet e mosvazhdimit me klubin e famshëm turk, qendra shqiptare.

- A do të konsideronit Efesin si opcion në kushte tjera?

“Efesi është skuadra ku unë bëra emër në Europë dhe sigurisht që ka një vend të veçantë tek unë. Në qoftë se në të ardhmen krijohen kushtet, patjetër që do ta konsideroj si opcion,” shpreh mirënjohjen ndaj klubit, 33 vjeçari.

- Efesi a do të mund të arrijë suksesin e vitit të kaluar në Euroleague, edhe këtë stinor?

“Për një skuadër që kishte buxhet multi milionësh të mos arrijë në Final Four të Euroleague, edhe pse vetëm një fitore na ka ndarë, të humbasësh nga një skuadër me buxhet shumë më të vogël - së pari nuk do ta quaja sukses. Le ta quajmë sukses të pjesshëm. Në një Euroleague me nivel shumë më të dobët sesa në vitet e mëparshme, Efesi do të duhej të dominonte, por ne fatkeqsisht nuk arritëm të kemi vazhdimësi në lojën tonë, patëm oscilimie dhe përveç 4-5 ndeshjeve të mira, në përgjithësi nuk luajtëm mirë përkundër fitoreve. E këtë stinor që vjen, çdo gjë është e mundur,” ka përmbledhur Kuqo stinorin e fundit në Europë me klubin e tij.

Kosova dhe basketbolli kosovar

Kalojmë pak në vendin tonë. Në Kosovë. A e shikon Kuqo ligën e Kosovës? A ka pasur ndonjë ofertë nga klubet kosovare dhe a do të donte që të luante një ditë Kuqoja në Kosovë?!

“Ligën e Kosovës e përcjelli nga portali juaj. Nuk kam pasur rast të shikojë aq shumë. Ofertë nuk kam pasur, por t’ju them të drejtën - do të doja të luaja një ditë në Kosovë - por një gjë e tillë më duket vështirë e mundshme,” ka parashikuar shqiptari, që ka luajtur edhe për kombëtaren turke, pasi që ka pasaportë turk.

- Keni oferta nga skuadrat tjera?

“Po. Mirëpo, nuk kam vendosur ende për shkak se stinori i transferimeve sapo ka nisur dhe nuk dua të nxitojë për të vendosur,” ka thënë ai.

Kombëtarja shqiptare

- E kombëtarja, a do t’i ktheheni asaj?

“Unë kombëtaren shqiptare nuk e kam lënë, që të ndiej nevojë për t’u kthyer. Në edicionin e fundit nuk morra pjesë sepse isha i lënduar, por verën tjetër do të jem në dispozicion gjithsesi, natyrisht nëse nuk kam ndonjë lëndim,” gjykon Ermali.

- Për fund…

“Ju kisha falenderuar për konsideratën dhe që ma dhatë rastin të shprehem. Stafit të Borozanit i uroj sukses në punë dhe i ftoj të gjithë adhuruesit e sportit që të ndjekin borozani.com për lajmet sportive, kudo. Gjithashtu, nga ky rast dua të uroj publikisht Sigal Prishtinën për pjesëmarrje në Balkan League, gjë që e shoh si hap përpara drejt pranimit të basketbollit kosovar në FIBA. Për mendimin tim, të njëjtën gjë e meritonin edhe Peja e Trepça, për arsye të investimeve në këto dy stinorë të fundit dhe tifozët e tyre meritojnë një shpërblim të tillë. Shpresoj që edhe ata do të jenë pjesë e basketbollit europian,” ka përfunduar Kuqo bisedën.

Kuqo ka qenë dy herë kampion i Turqisë me Efesin, në vitet 2004 dhe 2005. Ai ka fituar gjithashtu tre herë Kupën e Turqisë, në vitet 2006, 2007 dhe 2009, ndërsa në 2006 dhe 2009 ka fituar edhe Kupën e kryetarit të Turqisë. Kuqo, ka qenë tre herë pjesë e All Starit të Turqisë (2005, 2007 dhe 2008), ligë kjo që është njëra ndër më të fortat në Europë.


 
Të gjitha lajmet nga NBA