Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

KOLUMNE

Euroliga e re fillon sonte!

REUTERS/Arkiv

Euroliga e re fillon sonte!


Shkruan: Blerim MYFTIU

12 October, 2016 @10:47

Euroliga e sivjetme, liga më e fortë evropiane e basketbollit, do të luhet në një format të ri. 16 ekipe që e përbëjnë ligën e sivjetme do të luajnë me njëri-tjetrin në 30 xhiro dhe kësisoj do të kemi përballjen e secilit kundër secilit që në njërën anë do të krijojë më shumë ndeshje dhe emocion për të gjithë, nga ana tjetër do të shmang diskutime për “grupet e lehta” apo për “grupet e vdekjes”. Do të jetë një ligë si ato kombëtaret me nja 7-8 top skuadra që synojnë titullin dhe turneun përfundimtar në Stamboll.

Ka vite që vazhdon “lufta” ndërmjet FIBA-s dhe ULEB-it. FIBA e ka iniciuar nga ana tjetër Ligën e vetë të Kampionëve që synon të jetë diçka analoge me Ligën futbollistike të kampionëve, mirëpo në të gjitha parametrat (forca sportive e ekipeve, prestigji dhe historia e tyre, aspekti financiar, sallat sportive, mbulimi medial, shpërblimet financiare) ajo mbetet në hijen e organizimit tani të etabluar “privat” të basketbollit – Euroligës.

Sipas parashikimeve dhe prognozave të ekspertëve, finalistët e Final Fourit të majit të kaluar, CSKA e Moskës dhe Fenerbahçe janë favoritët kryesorë për titullin edhe në majin e ardhshëm. Të dyja ekipet nuk kanë ndryshuar pothuajse asgjë në përbërje, prandaj do të mbështeten në forcat e tyre të vjetra. Përparësia qëndron në po të njëjtin fakt që ekipet do të jenë më të komponuara duke u dhënë Itoudisit dhe Obradovićit, përkatësisht, siguri dhe përparësi në fushë.

Një hap pas tyre qëndrojnë të mëdhenjtë spanjollë, Real Madridi dhe Barcelona Lassa. Reali përjetoi njërin prej stinorëve më të dobët, mezi doli në çerekfinale dhe u spastrua nga Fenerbahçe. Këtë stinor fillon pa një ikonë të madhe - Sergio Rodríguez kaloi në Philadelphia. Sergio Llull mbetet organizatori kryesor dhe pritjet nga slloveni i talentuar, Luka Dončić (që përjetoi mjaft lëndime vitin e kaluar) janë të mëdha. Derisa trajneri Pablo Laso e mbajti postin, Barcelona vendosi që Xavi Pascualin ta zëvendësojë me Georgios Bartzokasin, i cili vjet Lokomotiv Kubanin e pati dërguar deri në Final Four. Barcelona mund ta ketë luksin që sivjet të kalojë në komponim, kurse arsye shtesë për ta mbështetur atë do të jetë kosovari Justin Doellman.

Nëse ju kujtohen TAU Cerámica, Caja Laboral apo Laboral Kutxa, dijeni që bëhet fjalë për të njëjtin klub spanjoll nga rajoni bask, i cili shpesh ka ndërruar emra për arsye të sponsorëve. Sivjet do të paraqitet me emrin Saski Baskonia. Ylli kryesor italian që për 11 vite luajti në NBA, Andrea Bargniani u kthye në Evropë dhe do të jetë bartësi i lojës së baskëve. Ioannis Bourousisi që ishte ylli kryesor i ekipit ia la vendin italianit dhe u kthye në atdhe (PAO). Në krye të ekipit do të jetë njëri prej trajnerëve më perspektivë evropianë, Sito Alonso, i cili do ta zëvendësojë Velimir Perasovićin që vendosi të migrojë në Bosfor.

Krahas Fenerbahçes favorite, Stambolli do të ketë edhe tri skuadra të tjera në ligën më të fortë evropiane. Perasovići do të jetë në krye të ekipit me traditën më të gjatë të sukseseve, Anadolu Efes. Përkundër investimeve dhe ndërrimit të pothuajse të gjysmë-ekipit para çdo sezoni, Anadolu Efesi nuk po i arrin rezultatet e kënaqshme dhe rolin e lokomotivës së basketbollit ekipor po ia dorëzon dalëngadalë Fenerbahçes. Derrick Brown i ardhur nga Kubani duket përforcimi më i madh, kurse Tyler Honeycutt do ta zëvendësojë Dario Šarićin i cili megjithatë vendosi të kalojë në NBA.

“El Clasico” spanjoll, Real vs. Barcelona, do ta ketë ekuilibrin në anën tjetër të Evropës. Galatasarayi (Odeabank) duke e fituar Eurocupin fitoi të drejtën automatike për të qenë pjesë e Euroligës duke e krijuar mundësinë që ta rivalizojë Fenerbahçen nga e cila në kontekstin e basketbollit duket se ka mbetur prapa. Në krye vazhdon të jetë trajneri kryeneç dhe shpesh konfliktuoz, Ergin Ataman. Në skenë do të kthehet edhe salloni Abdi Ipekçi, i cili me 12-13 mijë tifozë të zjarrtë do të jetë me gjasë njëri prej salloneve më të zjarrtë evropianë.

Edhe në Athinë do të luhet klasiku antik grek. Njëri prej basketbollistëve ikonë të Evropës, Dimitris Diamantidis u përshëndet nga loja, kështu që të blertët e Athinës do të jenë pa liderin e tyre që i udhëhoqi për 13 vite drejt 3 titujve të Euroligës. Ioannis Bourousis i cili po e përjeton ringjalljen buzë fundit të karrierës është rikthyer nga Baskonia dhe pritet të jetë lideri shpirtëror pas pensionimit të “diamantit”. Ngjashëm me Bourousisin në Baskonia, Chris Singletoni vjet i kishte ndihmuar Kubanit të ngjitej në Final Four. Sivjet është në Athinë. PAO, megjithatë, duket një klasë më ulët se favoritët. Rivalët e kuq, Olympiacosi, do të jenë të prirë nga Vassilis Spanoulis. Është ruajtur edhe bërthama e ekipit me Printezisin, Papanikolaoun dhe Mantzarisin. Siç ka ditur të fitojë dy herë Euroligën rishtas me ekipe modeste, kësisoj të kuqtë duken se kanë më shumë gjasa se të blertit e Athinës.

Ekipi i “katërt” i Stambollit i cili vjet debutoi për herë të parë në Euroligë paraqet erëzën e re për organizmin më të lartë të basketbollit, atë që shpesh i duhet organizmit të klubeve tradicionale evropiane. Ekipit i cili financohet nga njëri prej korporatave më të fuqishme turke i mungon baza e gjerë e tifozëve (problemi i ngjashëm i Anadolu Efesit), por kjo po kompensohet nga Wolksvagen Arena e mrekullueshme dhe puna e palodhshme e strukturës organizative e cila udhëhiqet nga ish-basketbollisti gjermano-turk, Mithat Demirel. Trajneri amerikano-izraelit, David Blatt, që për një kohë udhëhoqi Cleveland Cavaliers kthehet në Evropë dhe Stamboll.

Klubi ikonë i Evropës, Maccabi FOX i Tel Avivit, ishte njëri prej ekipeve që harxhoi më së tepërmi gjatë verës. Weems, Goudelock dhe Rudd janë disa amerikanë me përvojë në Evropë që krijojnë një vijë të jashtme solide. Sikur Olympiacosi, Maccabi gjithmonë ka qenë terren i vështirë për të luajtur dhe gjithmonë ka ditur që nga hija të përvidhet dhe të arrijë në maje të Evropës, siç edhe bëri para 2 vitesh. Brose Bambergu i Gjermanisë, Crvena Zvezda e Beogradit, Emporio Armani i Milanos, Unics Kazani i Rusisë dhe Žalgiris Kaunasi i Lituanisë mbeten ekipe në margjinë dhe me më pak gjasë për të arritur në përfundimtare, së paku në letër.

Sonte në orën 21, Reali dhe Olympiacosi e hapin perden e stinorit të ri të basketbollit evropian, i cili çdo javë për 30 javë rresht do të sjellë tetë ndeshje të jashtëzakonshme. Krahas Euroligës, në patronazhin e ULEB-it do të organizohet edhe Eurocupi, i cili po ashtu starton sonte dhe sivjet do të luhet me formatin e ri të përbërë nga 20 klube. Organizimet e FIBA-s në anën tjetër do të mbeten padyshim në hijen e këtyre dy organizmave. Liga e Kampionëve e FIBA-s fillon javën e ardhshme. Po javën e ardhshme, FIBA fillon edhe me “ligën e dytë” të saj, FIBA Europe Cup ku Kosova do të përfaqësohet me Sigal Prishtinën dhe Pejën. Krahas emocionit të lartë të cilin do ta përcjellim në TV, do të kemi megjithatë edhe emocion lokal të cilin mund ta përcjellim nga afër, si duket vetëm në Mitrovicë.


PAS NDESHJES

Trajneri i Tiranës lëvdon Hysenagollin e Karajn

Balkan League

Trajneri i Tiranës lëvdon Hysenagollin e Karajn

11/10/16 @ 21:50

GRUPI A

Kumanova mposht Teodon

Balkan League

Kumanova mposht Teodon

11/10/16 @ 21:43

NGA TIRANA

Erkand Karaj: Kthimi i ëndrrave

Balkan League

Erkand Karaj: Kthimi i ëndrrave

11/10/16 @ 21:39

INFORMATORI

Gjoba nga Komesari: Trepçës e Prishtinës nga €500, Bashkimit €375

FBK Superliga

Gjoba nga Komesari: Trepçës e Prishtinës nga €500, Bashkimit €375

11/10/16 @ 15:41

FIBA EUROPE CUP

Prishtina dhe Peja, njohin rivalët në FIBA Europe Cup

FBK Superliga/International

Prishtina dhe Peja, njohin rivalët në FIBA Europe Cup

11/10/16 @ 14:35

REAL MADRID-OLYMPIACOS

Euroleague fillon nesër

Euroleague

Euroleague fillon nesër

11/10/16 @ 13:54

TEAM OF THE WEEK

Pesëshja më e mirë e xhiros së parë

FBK Superliga

Pesëshja më e mirë e xhiros së parë

11/10/16 @ 12:30

PRISHTINA, PEJA E BASHKIMI

Nesër skuadrat tjera të Kosovës nisin stinorin në BIBL

Balkan League

Nesër skuadrat tjera të Kosovës nisin stinorin në BIBL

11/10/16 @ 10:40

TRAJNERI I RI

Bayern emëron trajner dy herë fituesin e Euroleague

Euroleague/Transfere

Bayern emëron trajner dy herë fituesin e Euroleague

12/06/23 @ 21:37

KËNDI I BLERIMIT

Ka basketbollistë dhe ka Llull!

Euroleague/Analiza

Ka basketbollistë dhe ka Llull!

23/05/23 @ 14:11

MBRETËROJNË EUROLIGËN #UNDECIMA

Kamp11on Real Madridi, Llull në sekondat e fundit sjell titullin

Euroleague

Kamp11on Real Madridi, Llull në sekondat e fundit sjell titullin

21/05/23 @ 23:51

OPINION

Euroliga… fluturon drejt Kaunasit

Euroleague/Analiza

Euroliga… fluturon drejt Kaunasit

14/05/23 @ 15:00

BASKETBOLLISTI I REAL MADRIDIT

Tavares, MVP i muajve prill/maj në Euroligë

Euroleague

Tavares, MVP i muajve prill/maj në Euroligë

11/05/23 @ 18:02

MADRID

Sergio Llull mbetet në Madrid

Euroleague/International/Transfere

Sergio Llull mbetet në Madrid

06/07/22 @ 13:11

SEZONI I RI

Konfirmohen 18 pjesëmarrësit e Euroleague 22/23

Euroleague

Konfirmohen 18 pjesëmarrësit e Euroleague 22/23

06/07/22 @ 12:42

LOS BLANCOS

Real Madrid ndërron trajnerin pas 11 stinorëve

Euroleague/International/Transfere

Real Madrid ndërron trajnerin pas 11 stinorëve

05/07/22 @ 13:51

STAMBOLL

Scottie Wilbekin në Fenerbahçe

Euroleague/International/Transfere

Scottie Wilbekin në Fenerbahçe

28/06/22 @ 11:34

STAMBOLL

Kampioni transferon kroatin Zizic

Euroleague/Transfere

Kampioni transferon kroatin Zizic

22/06/22 @ 13:27


 
Të gjitha lajmet nga Euroleague