BETIM FAZLIJI, NGA KONFERENCA PARA NDESHJES

Foto: FFK
Fazliji: Fitorja e domosdoshme!
19 June, 2023 @11:12
Të zhgënjyer me mosarritjen e fitores ndaj Rumanisë përkundër angazhimit dhe pengesave të mëdha që i sillte “Fadil Vokrri” në gjende aspak të mirë për shkak të shirave që ranë ato ditë në Prishtinë, lojtarët e Kosovës tash e kanë të qartë që fitorja në përballje ndaj Bjellorusisë është patjetër.
Në konferencën e mbrëmshme për shtyp, Betim Fazliji ka theksuar domosdoshmërinë e fitores. Betim Fazliji ka thënë se fitorja kundër bjellorusëve është e domosdoshme për t’i vazhduar shpresat për kualifikim në Evropian.
TABELA AKTUALE dhe ORARI I NDESHJEVE drejt EURO2024
“E dimë çfarë rëndësie ka kjo ndeshje. Do ta japim maksimumin dhe presim t’i marrim me vete pikët e plota. Kemi ende gjasa të mëdha për t’u kualifikuar. Duhet të shkojmë lojë për lojë. Qëllimi është t’i marrim pikët e plota ndaj Bjellorusisë”, ka thënë Fazliji.
Kosova pas tri ndeshjeve të para kualifikuese në Grupin I për në EURO 2024 ka regjistruar tri barazime, duke mos arritur të fitojë asnjërën nga ndeshjet, as atë ndaj Andorrës në “Fadil Vokrri”. Aktualisht Kosova ka rënë në pozitën e katërt në renditjen tabelare të grupit, ku para saj qëndrojnë Zvicra perfekte me tre fitore, e pastaj Rumania e Izraeli. Kosova po shpreson që sonte ndaj Bjellorusisë në Budapest të shënojë fitoren e parë në grup.◼️