DY SHTESA NË FERIZAJ

Ferizaji prezanton dyshen Terziu dhe Qerimi
10 July, 2023 @20:55
Brenda pak kohësh, sot FC Ferizaji që po shihet si favorit për rikthim të menjëhershëm në Superligë pas rënies, ka prezantuar dy përforcimet e radhës në ekip.
Skuadra që tashmë ka timonier Ismet Munishin ka prezantuar dyshen që kanë milituar në kuadër të Ligës së Parë në stinorin e kaluar, derisa portieri Petrit Terziu ka qenë pjesë e Feronikelit’74, ndërsa Egzon Qerimi pjesë e Ulpianës.
Në njoftimin për lojtarët, Ferizaji ka thënë se Terziu ka qenë portieri më i mirë në nivelin e garave ku luajti, ndërsa për Qerimin ka thënë se dallohet për saktësinë në pasime.
“FC Ferizaj ju njofton se sot është arritur marrëveshja me mesfushorin ofansiv, Egzon Qerimi. Ai në të kaluarën ka mbrojtur ngjyrat e Llapit, Dukagjinit, KEK-ut dhe Ulpianës.
Mesfushori Qerimi dallohet për organizimin e mirë të lojës, vizionin dhe saktësinë në pasime.
FC Ferizaj ka kënaqësinë të ju informoj se sot ka arritur marrëveshje me portierin e njohur Petrit Terziu “Bella”.
Ai edhe në të kaluarën ka qenë pjesë e jona, më saktësisht e ka mbrojtur portën tonë kur e fituam Ligen e Parë para 2 sezonesh, ku u dallua për sigurinë dhe reflekset e treguara.
Së fundmi ishte pjesë e Ferronikelit, ku ishte bindshëm portieri më i mirë në nivelin e garave ku ai luajti.” — ka shkruar FC Ferizaji në njoftimin për lojtarët në fjalë.◼️