PAS INCIDENTIT NË GJILANI - BALLKANI

FFK i bën thirrje Prokurorisë
3 April, 2022 @19:03
Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) pas incidentit në Gjilan, ku u ushtrua dhunë fizike nga tifozët e Gjilanit, Skifterat, në drejtim të portierit të Ballkanit, Stivi Frashëri, ka ftuar Prokurorinë që të ndjek rastin, ndërsa ka kërkuar seriozitet edhe nga Komisionet e saj gjatë shqyrtimit të këtij rasti.
KOMUNIKATA E FFK-së:
“Federata e Futbollit e Kosovës e dënon ashpër dhunën e ushtruar ndaj portierit të Ballkanit, Stivi Frashëri në fundin e ndeshjes së javës së 27-të të BKT Superligës, Gjilani – Ballkani, që u zhvillua në Stadiumin e Qytetit në Gjilan.
FFK ndjehet e shqetësuar me incidentin e ndodhur, teksa i dëshiron shërim të shpejtë portierit Stivi Frashëri.
Kërkojmë nga organet e rendit që të marrin masa të mënjëhershme ndaj personave të tillë të dhunshëm, që me veprimet e tyre po i vendosin njollë të zezë futbollit tonë.
Njëherësh i bëjmë thirrje edhe Prokurorisë që të veprojë sa më parë për t’i vënë para drejtësisë personat që shkaktuan dhunë ndaj portierit Stivi Frashëri.
Po ashtu, kërkojmë edhe nga klubet organizim dhe menaxhim më të mirë të ndeshjeve, pasi është e papranueshme që imazhi i futbolli kosovar dhe i vet klubeve të dëmtohet nga disa individë të papërgjegjshëm dhe të dhunshëm.
FFK kërkon edhe nga komisionet e saj që ta shqyrtojnë me seriozitetin më të madh këtë incident, derisa nga të gjithë dashamirët e futbollit kërkojmë distancim nga veprimet e tilla të dhunshme që nuk kanë asgjë të përbashkët me lojën më të popullarizuar në botë..”
Përndryshe, derbi i javës së 27-të në BKT Superligën e Kosovës në futboll ndërmjet Gjilanit dhe Ballkanit është ndëprerë pak sekonda para përfundimit të kohës shtesë. Ndërprerja ka ardhur si pasojë e sulmit fizik që është bërë nga shikuesit e skuadrës vendase ndaj portierit të Ballkanit, Stivi Frashëri. Sulmi ndodhi në momentin që Gjilani arriti të barazojë rezultatin me golin e portierit Enea Koliçi. Ky i fundit shënoi me gjuajtje me kokë pas harkimit të Yll Hoxhës. Goli i shënuar në sekondat e fundit të ndeshjes bëri që tifozët gjilanas të hyjnë në fushën e lojës për të festuar, e ku dy prej tyre e bënë një veprim huligan, duke e sulmuar portierin mysafir. Si pasojë e dhunës së shfaqur ndaj tij, ai, me autoambulancë u dërgua për trajtim të mëtutjeshëm në spital. Si rrjedhojë ndeshja u ndërpre dhe tani i mbetet Komisioneve të FFK-së për ta shqyrtuar rastin dhe për të marrë veprimet rreth këtij incidenti.