BKT SUPERLIGA

BOROZANI
Fitorja e fundit në 2012
20 December, 2012 @19:26
Kampionja e Kosovës në basketboll, Trepça, ka arritur të shënojë fitore të rëndësishme ndaj Vëllaznimit të Gjakovës në ndeshjen e fundit të BKT Superligës për vitin 2012.
Mitrovicasit kanë mposhtur lehtë gjakovarët 98-52 në ndeshjen e zhvilluar në palestrën Jeton Tërstena - Tota të Vushtrrisë.
Vëllaznimi që ka 4 fitore krahas 10 humbjeve ndeshjen e fundit e ka zhvilluar pa përforcimet Denis Vrsaljko dhe Marcel Mihalic, që dukshëm ka ndikuar në paraqitjen e tyre ndaj Trepçës.
Në anën tjetër Trepça me këtë fitore ka siguruar vendin e katërt për edicionin vjeshtor. Fitorja e Trepçës për asnjë moment nuk është vënë në dyshim pasi që mitrovicasit kanë udhëhequr prej fillimit deri në fund.
Më të dalluarit te Trepça ishin Roland Kinney me 21 pikë, Besnik Azemi me 12 pikë dhe Anton Maloku me 11 sosh. Te kuqezinjtë e Gjakovës u dallua dyshja Shpat Hoxha dhe Qëndrim Gashi, i pari shënoi 12 derisa i dyti 13 pikë.