BISLIMI NDËRRON AMBIENT NË GRUPIN A
Gentrit Bislimi - përforcon mbrojtjen e Lirisë
9 January, 2025 @12:45
Mbrojtësi 26 vjeçar nga Podujeva, Gentrit Bislimi, pas ndarjes me Vëllaznimin ku qëndroi përgjatë pjesës vjeshtore të këtij stinori në Grupin A të Ligës së Parë, ka ndërruar ambient.
Ai është bërë pjesë e ekipit të Lirisë nga Prizreni, ku presin që ai t’i ndihmojë në rrugëtimin e tyre për ngritje në renditje tabelare. Mbrojtësi i krahut të majtë Bislimi do të punojë tash e tutje nën komandën e trajnerit Bledar Devolli.
“Me kënaqësi të madhe njoftojmë bashkimin e Gentrit Bislimit me ekipin tonë! Lojtari ynë i ri, që mban numrin 33, është një mbrojtës i përkushtuar dhe i vendosur, i cili premton të sjellë forcë dhe stabilitet në repartin tonë të mbrojtjes.
Gentriti është i njohur për disiplinën e tij në fushë, aftësitë e shkëlqyera mbrojtëse dhe përkushtimin për ekipin. Me energjinë dhe vendosmërinë e tij, jemi të bindur që do të jetë një shtyllë e fortë në radhët tona.” ka bërë të ditur FC Liria në njoftimin e lëshuar.
Përndryshe, Liria pjesën vjeshtore të stinorit e kreu në pozitë të pestë të tabelës së Ligës së Parë - Grupi A. Bardhezinjtë nga qyteti historik kanë mbledhë 23 pikë gjatë vjeshtës, ndërsa liderja e grupit Drenica ka 31 pikë. Fituesi i grupit siguron Superligën për stinorin tjetër, ndërsa pozita e dytë mundëson kalimin në Superligë përmes dy ndeshjeve të barazhit!