ALAIN GIRESSE

Giresse thotë se ka analizuar mirë lojën e rumunëve
15 June, 2023 @19:21
Nuk ka shënuar ende asnjë fitore në kuadër të kualifikimeve për EURO 2024, ndërsa Alain Giresse ka thënë se ka analizuar mirë lojën e kundërshtarit që ka pikë maksimale pas dy ndeshjeve të para në këtë kampanjë.
Ai beson se lojtarët do të futen me motiv maksimal për fitore, ndërsa shpreson që edhe njëri ndër futbollistët e rëndësishëm të skuadrës të jetë i gatshëm për lojë.
“Besoj se ata do të futen në fushë me motivim të madh për fitore. Kemi mungesa të rëndësishme, ngase Rashani është larguar nga grumbullimi për shkak të lëndimit, derisa Zhegrova nuk është stërvitur disa ditë dhe është duke u rikuperuar. Po shpresojmë që ai të jetë gati”, ka thënë Giresse.
Ai tutje e ka vlerësuar Rumaninë si një kundërshtare të fortë, me individë që mund ta bëjnë diferencën, por ka thënë se e kanë analizuar mirë lojën e tyre dhe do të japin maksimumin për fitore.
TABELA dhe ORARI I NDESHJEVE drejt EURO2024
Kosova, pas dy ndeshjeve të para në ciklin kualiifkues për EURO 2024 që do të mbahet në Gjermani ka marrë dy pikë, duke barazuar ndaj Izraelit dhe Andorrës në shtëpi, në këtë të fundit që u cilësua ndër befasitë më të mëdha deri tash, ndërsa u pa me mjaft kritika te opinioni ynë.
Gjatë qershorit, Kosova do të ketë dy duele te të cilat pret të arrijë fitoren e parë në rrugëtim për EURO 2024. Dardanët presin Rumaninë më 16 qershor në Prishtinë, para se të udhëtojnë për në ndeshje ndaj Bjellorusisë në Hungari, ku do të zhvillohet ndeshja.◼️