FITORE MINIMALE PËR 3 PIKË!
Goli i Jasharit përbiron fitoren e Kosovës me 10 lojtarë ndaj Lituanisë
18 November, 2024 @22:47
Ka mjaftuar një gol i fillimit të ndeshjes, gol ky i parë i Muharrem Jasharit me Kosovën, që Kosova të dalë me 3 pikë nga ndeshja! Kosova mposhti Lituaninë 1-0 [Muharrem Jashari 5’], ndërsa tërë pjesën e dytë e luajti me 10 lojtarë pasi që ka qenë Jashari që mori karton direkt të kuq, pas shikimit të faulit të tij të shkaktuar në VAR, ku gjyqtari Kristoffer Hagenes pa dilema fare, përjashtoi atë.
Në pjesë të dytë, Kosovë e mbyllur duke duruar sulmet lituaneze, ndërsa në dy raste mysafirët qëlluan shtyllën e portës së Arijanet Muricit dhe vetëm fati shpëtoi “Dardanët” nga një barazim i padëshiruar sonte.
Pjesa e parë me dominim të Kosovës, me gol të bukur organizuar kur Vedat Muriqi gjeti Jasharin, i cili me goditjen e tij nga e majta çoi topin nën këmbët e portierit Edvinas Gertmonas për atë që doli të ishte gol i fitores!
Franco Foda koncetroi lojën në mesfushë në pjesë të dytë pasi që Kosova kishte më pak lojtarë në fushë, ndërsa Albion Rrahmani dhe Valon Berisha u zëvenësuan me Zymer Bytyqin dhe Lindon Emërllahun. Në 10 minutëshin e fundit, Edon Zhegrova e Vedat Muriqi shumë të angazhuar u zëvendësuan nga Andi Hoti mbrojtës dhe Fisnik Asllani qendërsulmues për të çuar disi lojën në fund.
Derisa pritet zyrtarizimi i vendimit të UEFA-së për ndeshjen Rumania-Kosova, Grupi 2 i Ligës C të Kombeve aktualisht çon Kosovën në playoff si vend i dytë me njërin nga vendet e treta të Ligës B të Kombeve, kurse Rumania është fituese e grupit dhe siguron daljen në Ligën B të Kombeve. Lituania në anën tjetër, është në zonë të rënies nga Liga C!