MEDIA TALK
Këto mund të jenë dënimet për Rumaninë dhe Kosovën, por edhe gjyqtarët e ndeshjes!
17 November, 2024 @12:45
Pas ndeshjes së papërfunduar të së premtes, ku Kosova ishte mysafire e Rumanisë në Bukuresht dhe nuk vazhdoi minutat e fundit të ndeshjes për shkak të fyerjeve kryesisht ndaj shtetit të Kosovës, mediumi online i Ruamnisë ProSport ka parashikuar dënimet që mund të jep KDE-ja e UEFA-së për Federatat përkatëse, duke mos lënë anash as gjyqtarët e duelit!
Në një bisedë me një njohës të brendshëm të rregulloreve të UEFA-së, ProSport ka bërë të ditur se Kosova do të merr dënim të rëndë, por jo më të rëndin, përjashtimin nga gara e mëtutjeshme!
“Kosovarët do të marrin një dënim në të holla, shumë të madh, por nuk do të përjashtohen nga garat. Kjo pasi që tensionet i shkaktoi një gjë që ndodhë zakonisht në tribuna,” ka shkruar ProSport.
Më tej, është vazhduar edhe për gjyqtarët, për të cilët thuhet se nuk do të dalin të padënuar nga ky skandal. Sipas njohësit, emrin e të cilit nuk e ka bërë të ditur mediumi në fjalë, këto gjëra është dashur të sqarohen brenda 15 minutave maksimalisht.
“Ata do të dënohen ashpër. Gjyqtari i ndeshjes dhe vëzhguesi. Për shkak të tyre ndodhi ekzagjerimi i situatës. Me disa që fola nga UEFA-ja, situata është dashur të mbyllet për 15 minuta maksimalisht, por siç po duket ata nuk i kanë ditur mirë rregullat ose kanë qenë shumë të frikësuar. Kjo është e papranueshme për UEFA-në dhe ata do të penalizojnë mënyrën e sjelljes së tyre. Edhe në ndeshjen e Kosovës në Qipro ka pasur një baner në tribuna, por referi aty ka reaguar dhe është larguar menjëherë ajo. Kjo ka të bëj me përafrimin në situatën e ndodhur dhe përvojën e gjyqtarit,” është cituar të ketë thënë burimi i ProSportit.
Në anën tjetër Rumania do të fitojë ndeshjen 3-0 në tavolinë, por nuk do të kalojë situatën pa dënim.
“FRF do të dënohet me gjobë dhe së paku disa sektorë të stadiumit do të jenë të mbyllura për ndeshjet tjera si vendas, pasi që është gjë e përsëritur që ka ndodhur. Mund të jepet edhe ndonjë ndeshje pa publik fare, por kjo është më pak e besueshme,” ka shtuar ai.