Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

EKSKLUZIVE

“Hesapi i shtëpisë nuk u përputh me atë të çarshisë”

fiba

“Hesapi i shtëpisë nuk u përputh me atë të çarshisë”


Shkruan: BLERIM MYFTIU

12 September, 2014 @9:22

Gjithçka ishte përgatitur dhe projektuar (për të mos thënë “e kurdisur”) që nikoqiri i kampionatit botëror, Spanja, të ecte deri në finale pa hasur në pengesën më të madhe dhe me gjasë të patejkalueshme drejt titullit kampion, atë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kjo nuk ishte e fshehtë që në hedhjen e shortit për ndarjen e grupeve. Spanja dhe SHBA-ja, si dy superfuqi aktuale basketbollistike dhe dy kombëtare me renditjen më të mirë në klasifikimin e FIBA-s, ishin vendosur në dy krahët e shortit dhe këta dy krahë nuk do të mund të takoheshin deri në gjysmëfinale. Madje, po qe se SHBA-ja dhe Spanja të merrnin (siç pritej dhe siç ndodhi) vendet e para në grupet e tyre, do të mund të takoheshin vetëm në finale. Siç edhe do të ndodhte po qe se Franca të mos e komplikonte këtë llogari dhe të mos eliminonte Spanjën në çerekfinale. Një fjalë e urtë turke thotë: “Hesapi i shtëpisë nuk u përputh me atë të çarshisë”!

Kampionia aktuale e Evropës, Franca, me lojën e fortë, qëndrimin stoik në mbrojtje, dominimin e trapezit me kërcime (Gobert dhe Lauvergne) që e bllokoi pjesërisht Gasolin e madh (Pau) dhe plotësisht Gasolin e vogël (Marc) dhe Ibakan, dhe udhëheqjen mjeshtërore të lojës në çerekun e fundit nga Heurtel që i dha edhe disa pika vendimtare (dhe nuk na bëri ta kujtojmë fare Parkerin që ndodhet në pushimin e merituar nga kombëtarja) arriti t’i japë fund llogarive spanjolle për triumf në tokën vendëse iberike. Triumf i cili do të ishte lamtumirë e denjë për bartësit e brezit të artë të basketbollit spanjoll, Pau Gasol dhe Juan Carlos Navarro. 

Rrjedhshmëria e lojës spanjolle, treshet e Rodriguezit, depërtimet e Rubios, “pikët e lotit” të Navarros munguan. Ibakas i shpëtonin topat nga dora. Por, nuk munguan “kapriçet” dhe provokimet e Sergio Llullit që arriti t’ia shqiptonte Pietrusit edhe një gabim teknik. Kryemjeshtri i provokimeve, Fernandez, ishte i qetë si në këtë pikë, ashtu edhe në atë të pikëve të lojës; madje as alley-oopi në fillim të pjesës së dytë nuk ishte i mjaftueshëm për ta ngjallur ekipin e çorientuar spanjoll. 

Trajneri thatanik francez, Vincent Collet, u dëshmua si durues dhe taktikues, i cili shfaqjen kryesore e ruajti për ndeshjen vendimtare edhe pse në fazën e grupeve kishte pësuar me mbi 20 pikë diferencë nga nikoqirja. Ashtu siç kishte arritur fronin e Evropës vjet në Lubjanë me ekip të hendikepuar, edhe sivjet pa mbështetjen e lojtarit kryesor, Tony Parker, ai gjeti modalitete, që përmes Heurtelit organizator, Batumit lider, Gobertit dhe Lauvergneit atletikë, të kompozojë një ekip i cili sërish spanjollët i hodhi jashtë konkurrencës.

 

Brazili “poshtërohet” edhe në basketboll, pas futbollit

Njëlloj siç Franca u hakmor nga Spanja për humbjen në fazën e grupeve, atë e bëri edhe Serbia karshi Brazilit. Siç e theksova në fillim, ndryshimi i skemës i hapi rrugë që ekipet nga i njëjti grup të mund të ritakoheshin menjëherë në çerekfinale, vetëm pas një rundi eliminimesh në të tetën e finales. Kështu ndodhi që të katër kombëtaret e dala nga grupi A (Spanja, Brazili, Franca, Serbia) të takohen në çerekfinale me njëra-tjetrën. 

Serbia ishte shumë më pak e mëshirshme ndaj Brazilit. Amerikanojugorëve duket se nuk u mjaftoi “poshtërimi” në kampionatin e futbollit, por erdhi edhe ky i radhës, madje me 28 pikë diferencë. Loja e barabartë në pjesën e parë filloi gradualisht të rrëshqasë në drejtim të Serbisë nga fundi i çerekut të dytë, të cilin Serbia e përmbylli me 5 pikë diferencë. Saktësia e Teodosićit nga gjuajtjet dhe gjithanshmëria e Bjelicas ishin faktorët që filluan të bëjnë diferencën. Kur këtyre iu shtua edhe preciziteti i përgjithshëm nga loja e serbëve, 2 gabimet teknike për brazilianët që në një sulm të vetëm i siguruan 7 pikë Serbisë dhe dështimi total i Splitterit, Hilarios dhe Varejãos nën tabelë, rezultati 29:12 i çerekut të tretë ishte i pashmangshëm. Serbët në fund duke arritur edhe maksimumin prej +33 pikësh arritën të gjenin vendin në mesin e 4 më të mirëve, sikur edhe para 4 vitesh. 

Dikur ndër playmakerët më të mirë  evropianë, Aleksandar Djordjević, edhe pse pa përvojë domethënëse në stol, duket se pas lojërave jo aq premtuese në fazën e grupeve, ka arritur të bëjë një ekip kompakt i cili dëshmoi se eliminimi i Greqisë së pamposhtur në të tetën e finales nuk ishte e rastit.

 

Kush do t’i përballojë Amerikës?

Përveç në pjesën e parë të ndeshjes me Turqinë (e cila u dëshmua të ishte krejt çka kishte Turqia të kallëzonte në këtë kampionat), SHBA-ja deri tani nuk u sfidua seriozisht nga asnjë kombëtare. Predispozitat atletike dhe fizike të cilat i kanë në dispozicion basketbollistët amerikanë e bënë dallimin deri më tani. Opinioni ishte në pritje të duelit të madh me Spanjën për të parë fuqinë e vërtetë të këtij fals “Dream Team”-i. Tani që furia e kuqe doli jashtë parketit (ngase nuk mund të themi se shkoi në shtëpi, sepse ishin në shtëpi!), nuk është e sigurt nëse Lituania stabile apo Serbia e furishme do të mund të shkaktojnë telashe të përzgjedhurve të Krzyzewskit.

SHËNIM: I irrituar nga komentimi i përgjumur, keqshqiptimi kronik i emrave të lojtarëve dhe mosdhënia e kurrfarë informate shtesë përveç asaj që ndodh në parket i komentatorëve të televizionit publik të Kosovës, kisha një fije shprese se kolegët e transmetuesit të shtetit amë do të ishin më në nivel. Përveç se ishin, prapëseprapë ngatërrimi i disahershëm i mbarimit të kohës 24-sekondëshe për sulm me “gabimin në hapa” (pastaj “jo më falni, nuk kishte gabim në hapa) është i tepërt!


 
Të gjitha lajmet nga Spanja 2014