SPANJA 2014
SHBA shkel edhe Slloveninë
10 September, 2014 @0:27
Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe njëherë kanë treguar se nuk kanë konkurrencë në Kampionatin Botëror. Ata në çerekfinale të këtij kompeticioni e mposhtën një kundërshtare të fortë siç është Sllovenia, dhe atë me epërsi të thellë prej 43 pikëve.
Sllovenia në dy çerekët e parë ishte një rival afërsisht i barabartë me SHBA-në, mirëpo në pjesën e dytë të ndeshjes yjet e NBA-së e morrën kontrollin e lojës krejtësisht në anën e tyre.
Basketbollisti i Golden State Warriors, Klay Thompson, ishte koshashënuesi më i mirë i ndeshjes me 20 pikë, derisa kontribut të rëndësishëm për amerikanët dhanë edhe James Harden, Kenneth Faried dhe Anthony Davis, kurse në anën tjetër Goran Dragiç me 13 pikë dhe Domen Lorbek me 12 sosh ishin më të dalluarit te sllovenët.
Në gjysmëfinale SHBA-ja do të takohet me Lituaninë, derisa nesër do të zhvillohen edhe dy ndeshjet e tjera çerekfinale ku do të takohen Spanja me Francën dhe Serbia me Brazilin.