Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

ANALIZA E NDESHJES

Hija e së kaluarës!

Foto: FFK

Hija e së kaluarës!


Shkruan: Luan Morina

3 September, 2020 @22:55

Ishte minuta e 30të, dhe pas ekzekutimit të goditjes së lirë, si harkim, topi nga mbrojtja molldave u largua në pjesën tonë të fushës. Ne kishim dy lojtarë dhe portierin. Ndërmjet kësaj tresheje dhe lojtarëve tanë të cunguar në zonën e Molldavisë, ishin pesë lojtarë molldav që bënin presion, e që rezultoi i suksesshëm!

Presioni i mençur i molldavëve neutralizoi krahët, sidomos të majtin, dhe mesfushën ku Kryeziu e Shala mund të pasonin vetëm ndërmjet vete, mbrapa, ose tek Vojvoda. Sepse kështu lejonin molldavët!

Dy gabime trashanike të Challandes – vendosja e Kolollit si qendërsulmues, dhe Valonit si mesfushor të avancuar! Jashtë pozitave natyrale, dhe ndonëse Kololli ka luajtur qendërsulmues, nuk ka qenë i mirë me mbrojtje të ngjeshura.

Molldavia luajti në defanzivë, dhe kur gabonim e shkonim në sulm, me presion merrnin topin dhe shkonin në kundërsulm. Edhe në ndërprerje qenë shumë të mirë, s në mbrojtje, si në sulm, dhe krejt kjo falë pozicionimit më disiplinor. Neve na mungoi disiplina në këtë sferë të lojës! Nuk ktheheshim, dhe injoronim kundërsulmet molldave, të cilët do të duhej të na kishin dënuar edhe më shumë, sikur të ishin një ekip më i mirë!

Vazhdojmë me të vjetrën edhe pesëmbëdhjetë minuta në pjesën e dytë, kur Challandes zgjedh dy zëvendësime të duhura – Hadërgjonaj zëvendëson Vojvodën për të shfrytëzuar hapësirën në të djathtë, dhe Celina do të provojë të çajë mbrojtjen molldave si 10sh, me Valonin që kthehet mbrapa në vend të Shalës.

Ishte mirë që molldavët nuk insistonin të sulmonin, diçka që ne nuk mund të bënim me Kolollin, paaftësia e të cilit për të qenë qendërsulmues vërehej nga distanca e thellë në të cilat zihej në ofsajd. Dhe atë kur harrohej nga katër molldavët që e ruanin atë sepse dy krahët e sulmit shkonin shumë gjerë e mbetnin shumë jashtë!

Një rënie përqendrimi në mbrojtjen molldave, dhe shënuam gol, kur tani kishin nisur të zhagiteshin nëpër fushë! Valoni tek Kololli, i cili më në fund gjuan, fatkeqësisht për herën e fundit përtokë!

Pa marrë parasysh golin, Benjamin Kololli, kurrë më nuk guxon të jetë qendërsulmuesi ynë! Jo deri kur të përmirësohet e adaptohet në këtë pozitë. Ai mund të kërkoj të luajë portier, por kombëtarja nuk është fontanë dëshirash!

Zeneli dhe Rashica ishin të mbuluar për mrekulli, ngjashëm si Valoni! Nuk duhet të fajësojmë as Kolollin aq shumë për këtë dështim, për shkak të përqendrimit në mbrojtje, por nuk ishin në krye të detyrës.

Dështuan dhe nuk kishin disiplinë në lojë. Thjesht dukeshin të panjohur dhe nuk mund të kalonin pengesat që ishin lojtarët molldavë, të cilët goxha suksesshëm prenë të gjithë lidhjet. Shala e Kryeziu ishin mbetur të ndarë, prapë falë vendosjes së mençur molldave. Ishin të vetmit që lejoheshin të luanin me top, deri kur vendosnin të bëjnë presion. Vija e mbrojtjes nuk pati aq shumë punë, e krahët nuk bënë asnjë punë. Vojvoda sikur të ishte duke luajtur në anën e majtë, jo në të djathtën, e Paqarada nuk ka qenë më mirë ndonjëherë tjetër!

Nga Rashani prisja një kontribut sikur ndaj Bullgarisë si mysafirë, Celina nuk arriti të bëjë më shumë se Valoni në atë pozitë, e Hadërgjonaj qe i vetmi lojtar me një paraqitje të denjë!

Kundër Molldavisë lëshojmë dy pikë për shkak të mungesës së disiplinës dhe gabimeve taktike. Por mbi të gjitha, për shkak të mendjemadhësisë dhe vetëkënaqësisë! Këto na kushtuan, por le të jetë një mësim për të ardhmen!

Dhe jo, nuk guxojmë të fajësojmë as situatën me COVID19 as vetëm një stërvitje! Nuk patëm asnjë debutues dhe të gjithë njohin njëri-tjetrin nga futbollistët! Duhet të fajësojmë vetveten dhe qasjen që kemi pasur ndaj një kundërshtari më të dobët. Uroj të mos kthehemi në Ligën D, pasi rivali kryesor na mori një pikë në përballjen e drejtpërdrejtë!

RAPORTI I NDESHJES


 
Të gjitha lajmet nga