MOLDAVIA 1-1 KOSOVA
2 pikë të humbura për Kosovën pa qendërsulmues
3 September, 2020 @22:47
Në përballjen e parë të Ligës C të Kombeve në kuadër të Grupit 3 të saj, Kosova ka barazuar ndaj Moldavisë 1-1.
Një përballje e kaluar mjaft zbehtë në pjesë të parë ndaj një kundërshtari të dobët, është përmirësuar sadopak në pjesë të dytë, kur në lojë u futën Bersant Celina dhe Elbasan Rashani.
Moldavia e organizuar mirë dhe duke e ditur fuqinë e saj, priti Kosovën përgjatë gjithë ndeshjes duke goditur një herë për të nxjerrë një pikë mjaft të rëndësishme për skuadrën e drejtuar nga gjermani me prejardhje turke, Engin Firat.
Në anën tjetër, Kosova pa qendërsulmues klasik u pa e paefektshme në sulm, përkundër posedimit të madh të topit, derisa raste nuk kishte.
Ion Nicolaescu i dha epërsinë Moldavisë në minutën e 19 të ndeshjes për 1-0, ndërsa tentimet e Kosovës për të realizuar nuk kishin ide në fund të sulmit, e krosimet e shumta që vinin në 16 metërsh, shkonin kot.
Thellë në pjesë të dytë, kur futja e Bersant Celinës në lojë dha freski të jashtëzakonshme, ngjalli sadopak lojën e Kosovës dhe në një kombinim të Milot Rashicës me Valon Berishën, ky i fundit gjeti mjeshtërisht Benjamin Kolollin që me të majtën qëlloi portën për barazim 1-1 (71’).
Futja e mëvonshme e Elbasan Rashanit në lojë solli edhe dy raste konkrete për Kosovën, por pa tundur rrjetën e kundërshtarit.
Në fund, 1-1 në përballjen që pritej të ishte fitore për Kosovën dhe përkunër të gjithave marrim vendin e parë për shkak të golit të mysafir, për tre ditët e ardhshme.
TABELA AKTUALE:
1. Kosova 1p (1-1)
2. Moldavia 1p (1-1)
3. Greqia 1p (0-0)
4. Sllovenia 1p (0-0).