Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

FUTSALL

Humbje minimale e Kosovës nga Holanda

Foto: FFK

Humbje minimale e Kosovës nga Holanda


Teksti: FFK

18 September, 2022 @21:44

Kombëtarja e Kosovës në futsall ka pësuar humbje në ndeshjen e parë në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2024. Dardanët, të dielën në mbrëmje, në Roterdam janë mposhtur nga Holanda, me rezultat të ngushtë, 2:1. Ndeshja u përcoll nga një numër i madh i tifozëve, shumë prej të cilëve ishin bashkatdhetarë tanë. Të përzgjedhurit e Arben Simitçiut patën një paraqitje shumë të mirë, madje duke krijuar raste të shumta, por që nuk patën fatin ta gjejnë golin. Madje, në pjesën e parë Drilon Maxharraj kishte dy mundësi të mira, derisa Dardan Topillës golin ia mohoi tërthorësja. Lojë e barabartë u zhvillua edhe në pjesën e dytë, teksa golat erdhën në pesë minutat e fundit të ndeshjes. Shifrat u zhbllokuan në minutën e 35-të, kur Issam Dahmani, realizoi me një gjuajtje të devijuar nga distanca. Pas këtij goli, Dardanët u angazhuan për të rikthyer baraspeshën në rezultat, por pësuan edhe golin e dytë një minutë më vonë, kur Mohamed Ben Khalou doli i vetëm para portierit Bajram Ramadani. Në minutat e fundit lojtarët bën çmos për të ndryshuar fatet e këtij takimi, por arritën vetëm të ngushtojnë diferencën me golin e Jeton Rukovcit, në minutën e fundit të ndeshjes. Përzgjedhësi Arben Simitçiu e vlerësoi shumë pozitive paraqitjen e ekipit në këtë duel, teksa theksoi se në pjesën e parë Kosova është dashur të kishte epërsi prej dy-tre golash.

“Pas ndeshjes iu thashë edhe lojtarëve se mburrem me paraqitjen tuaj, sepse vërtet përgjatë 36 minutave ishim më të mirë se Holanda. Në pjesën e parë është dashur të ishim në epërsi prej ndoshta dy apo tre golave dhe më pas rrjedha e lojës do të ishte ndryshe. Sidoqoftë, mund të them se kemi përparuar shumë, lojtarët janë në nivel shumë më të lartë. Edhe përzgjedhësi i Holandës, i cili ka qenë më shumë se 10 vite trajner i Barcelonës në futsall, më përgëzoi për performancën dhe e pranoi se kemi qenë më të mirë. Përkundër humbjes, kjo paraqitje është një nxitje për të punuar edhe më shumë. Gjithsesi, loja fitohet duke dhënë gola dhe në këtë aspekt duhet të përmirësohemi ende. Pra, rastet që na jepen duhet t’i konkretizojmë. Goli i parë ishte devijim, aty nuk gaboi askush. Sikur të mos pësonim aty, sigurisht se holandezët do të hapeshin edhe më shumë në lojë dhe do të kishim ndoshta edhe më shumë mundëi”, ka thënë Simitçiu.

Kosova bën pjesë në Grupin 11 në “Main Round”, së bashku me Holandën dhe Ukrainën, ku ekipi i parë në renditje kualifikohet në ‘Elite Round’, derisa ekipi i dytë luan në ‘play-off’.


 
Të gjitha lajmet nga Futsall Superliga