Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

DUELI I RADHËS

Kosova synon befasi ndaj Ukrainës

Foto: FFK

Kosova synon befasi ndaj Ukrainës


Teksti: FFK

8 November, 2022 @11:08

Kombëtarja e Kosovës në futsall tash e tri ditë po përgatitet për ndeshjen e tretë në kuadër të fazës “Main Round” për kualifikimet e Botërorit 2024 kundër Ukrainës. Kjo ndeshje zhvillohet, të mërkurën, në orën 17:00, në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, teksa hyrja për tifozët është falas. Pas dy seancave stërvitore në palestrën e Obiliqit, Dardanët e futsallit, të hënën kanë vazhduar me punën në palestrën ku edhe do të zhvillohet ndeshja. Gjatë stërvitjes së sotme përzgjedhësi Arben Simitçiu ka punuar në aspektin tekniko-taktik, si dhe në evitimin e gabimeve të shfaqura në ndeshjen e parë kundër ukrainasve. Atmosfera në ekipin kombëtar para kësaj përballjeje është mjaft pozitive dhe të gjithë shpresojnë se me mbështetjen e tifozëve do të arrijnë ta shijojnë fitoren e pare, e cila do t’i mbante gjallë shpresat për kualifikim tutje.

“Realisht pres fitore dhe do të bëjmë çmos për t’ia arritur qëllimit. Ushtrimet po shkojnë shumë mirë dhe djemtë janë në formë të mirë. Ka kohë që synojmë ta bëjmë një befasi të madhe dhe shpresoj që ka ardhur koha për ta arritur këtë. E kemi bërë video-analizën e ndeshjes me Ukrainën dhe nëse si përsërisim gabimet që na kushtuan në ndeshjen e parë, besoj se do t’i befasojmë. Ekipi është komplet për momentin dhe besoj se edhe në ndeshje do të jemi të kompletuar. Dardanët dhe tërë tifozët i ftoj që të na mbështesin në sallë, por edhe nga shtëpitë e tyre, sepse ajo energji pozitive e rrit performancën e ekipit”, ka theksuar Simitçiu.

Kosova deri tash i ka zhvilluar dy ndeshje në kuadër të këtyre kualifikimeve dhe të dyja si mysafirë, ku ka pësuar humbje me rezultate të ngushta. Lojtari Endrit Hajdini beson se ndeshja e pare para tifozëve dardanë do t’u sjellë atyre fat.

“Jemi përgatitur maksimalisht dhe ekipi është i kompletuar. Meqenëse loja luhet në Prishtinë besoj në përkrahje të fuqishme të tifozëve. Shpresojmë në fitore, ngase e njohim kundërshtarin dhe e kemi analizuar mirë ndeshjen e pare”, ka thënë Hajdini.

Kombëtarja do të vazhdojë me stërvitje edhe nesër, teksa të mërkurën synon ta mposhtë favoriten e grupit, për t’i mbajtur gjallë shpresat për kualifikim tutje.


 
Të gjitha lajmet nga Futsall Superliga