GJERMANIA U21 - KOSOVA U21
Humbje minimale në paraqitjen dinjitoze të Kosovës
5 September, 2017 @20:53
Në takimin e zhvilluar në kuadër të kualifikimeve drejt kampionatit evropian për grupmoshat U21, Kosova U21 u mposht nga përfaqësuesja e Gjermanisë me rezultat minimal 1-0.
Kosova e zhvilloi një pjesë të parë mjaft të mirë, në të cilën u ndëshkua në mbyllje të saj, me sulmuesin Eggestein që shënoi me të djathtën nga pak metra jashtë zonës, mirëpo deri atëherë, Kosova u tregua skuadër e disciplinuar në mbrojtje, ndërkohë që priste që të rrezikonte me kundërsulme.
Në pjesën e dytë, dominimi gjerman vazhdoi mirëpo goli i dytë nuk erdhi në asnjë moment, me mbrojtjen e Kosovës dhe portierin Visar Bekaj që zhvilluan paraqitje fenomenale.
Përkundër humbjes, djemtë e drejtuar nga Rafet Prekazi kthehen në Kosovë pas një paraqitjeje dinjitoze, marrë parasysh diferencën në kualitet mes Gjermanisë dhe Kosovës. Gjithashtu, për t’u përmendur nga ky takim është fakti që të pranishëm në tribuna ishin shumë bashkëatdhetarë në përkrahje të Kosovës.
Pas 4 ndeshjeve në grup, Kosova vazhdon të mbetet e dyta në renditje, mirëpo ka më tepër ndeshje të zhvilluara sesa kundërshtarët.